Qeveria e Kosovës merr vendimin për qytetarët që janë jashtë Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 12-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka marrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, të datës 13 mars 2020.

Sipas vendimit, ndryshohet dhe plotësohet pika 5. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, të datës 13 mars 2020, ashtu që pas fjalëve “Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh por pa udhëtarë, që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova”, shtohen fjalët si në vijim: “Gjithashtu, përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me udhëtarë, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës të cilëve ju pamundësua kthimi për shkak të Vendimit të lartpërmendur të Qeverisë Nr. 01/09, apo staf diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës, të cilave linja ju mund t’ju lejohet ardhje me leje të veçantë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, pas konsultimit me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrin e Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës”.

Obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe institucionet tjera relevante të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi.