Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën është folur edhe për krizën me të cilën është përballur Kosova së fundi, në kuadër të rritjes së çmimeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria që ai drejton ka ndarë mbi 6 milionë euro për përfituesit e skemave sociale në vend.
Ai tha se kjo kategori, ndonëse është goditur nga rritja e çmimeve, problemi i tyre nuk zgjidhet duke e rrënuar sistemin pensional të vendit, duke iu referuar kështu mundësisë për tërheqje të mjeteve nga TRUSTI-i.
“Andaj, kemi vendosur që atyre t’ua dyfishojmë ndihmat e ofruara nga buxheti aktual për dy muaj rresht dhe për këtë kemi ndarë mbi 6 milionë euro, pasi që të njëjtat përftime i kemi rritur për 30% për periudhë të pacaktuar”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kryeministri tha se në ndihmë u kanë dalur edhe pensionistëve, ku theksoi se këtë kategori do ta mbështesin në shumën prej 100 euro.
“Pensionistët janë po ashtu janë goditur nga lëvizjet e çmimeve. Ne mendojmë se situata e afërsisht 400 mijë përfituesve këtu nuk adresohet përmes rrënimit të sistemit pensional të vendit, meqë këta individë janë të pensionuar, andaj përgjigjen e kemi gjetur në mbështetjen e përkohshme prej 100 euro për secilin prej tyre, pasi që tashmë i kemi rritur pensionet bazë për 11%, duke u siguruar që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro”,shtoi Kurti.
E kryeministri Kurti është deklaruar sot sërish kundër mundësisë së tërheqjes së mjeteve pensionale nga Trusti







