kryeministri

Qëndrimi i gjatë në SHBA dhe takimet me biznese, Kurti: Do të shtohen investimet

Për qëndrimin e gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u kritikua shumë. Sot ai doli para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ndër tjerash, foli edhe për këtë vizitë.

Para bashkëpartiakëve, Kurti tha se ka pasur takime përmbajtësore e të frytshme në SHBA, ndërsa paralajmëroi investime në Kosovë.

“Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, tha kryeministri.

Kryetari i LVV-së bëri një përmbledhje të aktiviteteve të tij në Amerikë, dhe përsëriti se Jake Sullivan, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, e takoi në Shtëpinë e Bardhë.

“Të dashur aktivistë, para dy ditëve jam kthyer nga qëndrimi dyjavor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe treditor në Davos të Zvicrës në Forumin Botëror Ekonomik. Në SHBA kam takuar 7 senatorë (4 demokratë dhe 3 republikanë) dhe 12 kongresistë (9 demokratë dhe 3 republikanë) si dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane, ku duhen theksuar Jake Sullivan në Shtëpinë e Bardhë, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Biden, Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së, Samantha Power, udhëheqëse e USAID-it, pastaj dy guvernatorë të shteteve, e të tjerë”, tha ai.

Kurti dha edhe shifrat e prezantimeve të mbajtura në universitete.

“Kam vizituar e mbajtur prezantime në 7 universitete. Kam takuar dhjetëra biznese dhe kam mbajtur 12 tubime me bashkëatdhetarët tanë shqiptaro-amerikanë. Që të gjitha këto takime e tubime ishin përmbajtësore, miqësore dhe të frytshme. Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, tha ai.