Qendra Korrektuese për femra në Lipjan bëhet me serë bujqësore

Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia në vend, në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, të burgosurit nuk i kanë ndërprerë aktivitete e tyre të përditshme.

Në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, sot në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, të burgosurit kanë përfunduar ndërtimin e serës bujqësore.

Në njoftim thuhet se “e gjithë puna është kryer nga tre të dënuarit e pavijoneve gjysmë të hapura dhe është udhëhequr nga stafi i QKFL-së, ndërsa në aspektin profesional është mbikëqyrur nga Divizioni i Inxhinieringut të SHKK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “të burgosurit përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata çdo ditë e më tepër po zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat po shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë”.

“Falë punës së të burgosurve, në seren bujqësore do të angazhohen në punë të burgosurat e QKFL-së, me ç` rast produktet bujqësore nga kjo serë do të përdoren per nevojat e institucioneve korrektuese. Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes këtyre aktiviteteve synon të ndikoi në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, e po ashtu edhe në racionalizimin e buxhetit të SHKK-së. Përveç kësaj, puna e të burgosurave brenda kësaj qendre normalizon edhe jetën e përditshme”.

Në shenjë falënderimi për punën dhe angazhimin tyre, Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Heset Loku, ndau mirënjohje.