Qëllohet për vdekje 15-vjeçari, autorët ia mbathin me makinë dhe pësojnë aksident

Një 15-vjeçar është qëlluar për vdekje nga një grup të rinjsh në Birmingham, ngjarje që ka alarmuar policinë dhe personat që dëgjuan të shtënat.

Të shtënat ndodhën pasditen e së enjtes në zonën e Handsworth ndërsa autorët ia mbathën me një Ford. Policia njoftoi se një adoleshent, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, u dërgua me urgjencë në spital por nuk arriti ti mbijetonte plagëve të rënda.

Të dyshuarit, të cilët kishin edhe thika, u detyruan që t’ia mbathnin me këmbë pasi u përplasën me një shtëpi pranë vendit ku ndodhi krimi. Oficerët rrethuan menjëherë zonën dhe po vijojnë hetimin për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Inspektori i policisë së West Midlands, Alastair Orencas, tha se rasti do të zbulohet.

“Ne nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të gjetur personat përgjegjës dhe kërkoj të na kontakojë kushdo që ka informacion. Familja e djalit përjetoi tronditje të tmerrshme dhe ne kemi dërguar specialistët për ti qëndruar pranë”, tha Orencas.

Ende nuk është bërë asnjë arrestim për këtë ngjarje.