“Qëllimi ynë është bashkimi i partnerëve tanë në Serbi dhe Kosovë, për një zgjidhje gjithëpërfshirëse”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, përmes një komunikate dërguar mediave ka njoftuar për takimet fillestare të Dërguarit Special Presidencial për Negociatat e Paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadorit Richard Grenell, në Prishtinë dhe Beograd.

Në njoftimin e bërë për media, thuhet se Kosova dhe Serbia do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja.

“Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon”, thuhet në njoftim.

Ambasada njofton se Grenell në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë dhe Serbi ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe udhëheqësit e partive politike, duke përfshirë Albin Kurtin, Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, kurse në Beograd ai është takuar me presidentin a Serbisë, Aleksandar Vuçiqin dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Tutje në njoftim thuhet se, ambasadori Grenell i filloi të dy ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit afarist, dhe se Administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme.

loading…