Naim Qelaj

Qelaj: Raportet e Avokatit të Popullit për dy vitet e kaluara, nuk iu nënshtruan vlerësimit në Kuvend

Të drejtat e njeriut, dhe respektimi i tyre në Kosovë, po avancojnë dhe po përmirësohen, por ende nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara dhe me atë që synon Republika e Kosovës ka thënë Naim Qelaj, Avokat i Popullit në Info Plus”, në RTK.

Ai e ka përmendur se në dy vitet e kaluara raportet të cilat janë dorëzuar në Kuvend, e që janë punuar nga ky institucion s’i janë nënshtruar fare vlerësimit në Kuvend, çka është negative.

“Fatkeqësisht dy raportet e viteve të kaluara (2022 dhe 2023) që janë dorëzuar në kuvend, nuk ju kanë nënshtruar vlerësimit të nga ana e kuvendit, sepse raportet e Avokatit të Popullit për gjendjen e të drejtave të njeriut dorëzohen në kuvend. Kjo tregon një situatë jo të mirë në raport me qasjen që e ka kuvendi si organ mbikëqyrës i zbatimit të të drejtave të njeriut nga krejt agjencitë ekzekutive, institucionet e pavarura dhe agjencitë tjera. E në anën tjetër lenë në hije punën dhe angazhimin që Avokati i Popullit bënë gjatë një viti deri në hartimin e raportit, ku provon në mënyrë shumë të detajuar me e paraqit çdo shkelje që ka evident nga ankesat ose nga hetimet që i ka zhvilluar vet Avokati i Popullit”, tha Qelaj.

Sipas tij, me mos vlerësimin e raporteve të Avokatit të Popullit nga kuvendi, në mënyrë indirekte shkelen të drejtat e njeriut.

“Nuk ka fushë dhe segment të të drejtave të njeriut që ne nuk e prekim ne raporte, dhe mos trajtimi, e mos dhënia rëndësi dhe peshën e vetë që kanë këto raporte e zbeh edhe vetë respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, sepse Avokati I Popullit është I thirrur dhe ka mandatë kushtetues të dal me qëndrime e opinione kur konstaton që ka shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë Qelaj.