Favorizimet

Që katër vite: Komuna e Haskukës favorizon dy kompani për tregjet publike, nuk ua merr asnjë cent

Kryetari Mytaher Haskuka para pak muajve bëri shou në media, kur largoi nga prona komunale të gjitha partitë politike. Por, Komuna e Prizrenit tash e disa vite po favorizon dy kompani për shfrytëzimin e tregjeve komunale, duke mos u kërkuar asnjë kompensim për shfrytëzimin e tyre. Ndërkohë, shitësit më pakicë brenda tregjeve po paguajnë qeranë e tezgave.

Zyra Kombëtare e Auditorit, pos gjetjeve tjera, ka evidentuar edhe shfrytëzim të parregullt të pronave komunale në Komunën e Prizrenit gjatë vitit 2020.

Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale 06/L-092”, neni 23 pika 1 cek: ”Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës”.

Por, Komuna me dt.01.08.2001 ka bërë Marrëveshje mbi Koncesionin për tregjet “B. Curri “dhe “Qylhani” me kohëzgjatje për 10 vite, deri më dt. 01.08.2011, nga kjo datë kanë bërë Aneks kontratë për një periudhë dy vjeçare deri më 01.08.2013, duke u bazuar mbi kushtet e marrëveshjeve fillestare dhe duke cekur se kjo kontratë nuk mund të vazhdohet më tutje.

Që nga viti 2013 tregjet janë shfrytëzuar pa kontrata dhe komuna nuk ka ndërmarr asnjë hap për lirimin e këtyre pronave (tregjeve).

Auditori ka theksuar se nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave ishte vendosur që të ngarkohen me tarifë deri në vitin 2016.

“Komuna nga viti 2017 nuk i ka faturuar këta shfrytëzues të pronave, pasi që nuk ka bazë ligjore për ngarkesë, përderisa shfrytëzuesit privat brenda këtyre tregjeve, paguajnë qira për shfrytëzimin e tezgave apo lokaleve që gjinden në treg. Shkak për këtë është mos implementimi me kohë i kushteve të kontratës me shfrytëzuesit e hapësirave dhe mos ndërmarrja e masave të nevojshme nga ana e komunës”, ka shkruar Auditori në raportin për Komunën e Prizrenit për pasqyrat financiare të vitit 2020.

Auditori ka shfaqur rrezikun se shfrytëzimi i tregjeve dhe pronave tjera publike, pa kontrata valide mes komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale, i shkakton komunës humbje të konsiderueshme financiare. /Lajmi.net/