Qe gati një vit kryeministër, Albin Kurti asnjë vizitë në SHBA

Albin Kurti nuk ka zhvilluar asnjë vizitë të vetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës as në legjislaturën e shtatë e as në të tetën gjatë kohës sa po shërbente si kryeministër i Kosovës.

Në total janë bërë rreth gati një vit që prej se Kurti bart postin e kryeministrit, por ky i fundit nuk ka qenë asnjëherë për vizitë në SHBA, ndonëse ka paralajmëruar diçka të tillë, shkruan lajmi.net.

Kurti paralajmëronte se do të realizonte një vizitë zyrtare në nëntor të këtij viti. Kreu i ekzekutivit deklaroi diçka të tillë në Kuvendin e Kosovës.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhuri dhe i mirë për shtetin tonë. E sa për miqësinë me presidentin Biden ju e dini që unë jam i vetmi kryetar i subjektit politik që e ka mbështet paraprakisht publikisht, ndërsa ju të tjerët keni shikuar se kush po fiton…Ju keni qenë duke shikuar se kush po fiton, e unë u bëra thirrje shqiptaro-amerikanëve me votu presidentin Biden”, deklaronte Kurti.

Vizitën e tij e pati konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, nën vazhdën e raportimeve se kryeministrit iu është refuzuar viza amerikane.

“Kryeministri Kurti është i pajisur me vizë amerikane. Ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti. Vizita e tij është duke u planifikuar”, pati deklaruar zëdhënësi i Qeverisë.

Shefi i Qeverisë duket se nuk do të realizojë vizitë në SHBA së shpejti. Klan Kosova me burime njoftoi se ai bashkë me disa prej kabinetit qeveritar të hënën do të udhëtojnë për në Bruksel, ndonëse nuk u bë e ditur arsyeja.

Ndonëse nuk ka realizuar vizitë në SHBA, udhëheqësi i ekzekutivit është takuar me diplomatë amerikanë. Së fundmi ai është takuar me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Në takimin që u zhvilluar, Giacobbe kërkoi që një marrëveshje gjithëpërfshirëse e Kosovës me Serbinë të arrihet përbrenda mandatit të Kurtit.

“Ishte kënaqësi takimi sot me kryeministrin Kurti dhe zv.kryeministin Bislimi për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë planet për të realizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit aktual të kryeministrit”, shkruante Giacobbe në Twitter.

Vizitë në SHBA Kurtit i ka kërkuar edhe ish-ambasadorja e Kosovës atje, Vlora Çitaku. Ajo në një intervistë ka kërkuar që të udhëtojë e të kërkojë emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu nuk është “Big Brother”. E di. Kërkon angazhim, disiplinë e punë. Por mendoj se SHBA duhet të jetë në tavolinë. Vetëm me praninë e tyre jemi të sigurtë. E ftoj kryeministrin që të udhëtojë sa më shpejtë dhe të kërkojë një emisar të posaçëm. Unë do të doja që ky dialog të mbyllet sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi ajo.