Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka folur sot për aksionin në veri të Kosovës ku janë arrestuar disa persona.
“Së pari Policia e Kosovës ka marrë urdhërarrest për arrestimin e personave, dhe ky urdhër është zbatuar në përpikmëri. Kemi pasur problem në Zubin Potok ku kemi hasur në të shtëna armësh me ç’rast është plagosur një zyrtar policor, dhe nga i njëjti plumb është goditur edhe një zyrtar tjetër policor por nuk është plagosur pasi që fuqia e plumbit ka qenë e dobët”, ka thënë Qalaj, shkruan Ballkani.info.
Sipas Qalajt, nuk ka pasur të lënduar rëndë dhe as raste me fatalitete.
“Në disa lokacione që janë bastisur janë gjetur armë zjarri, monedha të ndryshme etj. Numri i saktë i policëve të lënduar është 5, vetëm një prej tyre është nga arma e zjarrit. Bëhet fjale për lëndime të lehta”, ka thënë Qalaj.
“Në barrikadat e vendosura ka qenë edhe një veturë e UNMIK-ut, me ç’rast është arrestuar edhe punonjësi i UN-it për pjesëmarrje dhe jo ndonjë qëllim tjetër”, theksuar Qalaj.
Në anën tjetër, Sylë Hoxha, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka thënë se zyrtarët policorë të arrestuar, janë të dyshuar për vepra të ndryshme penale, si kontrabandë, krim, etj.
“Nga atë të arrestuarit, njëri ka qenë me gradën e Kapitenit në Policinë e Kosovës”, ka thënë Hoxha. /Ballkani.info/







