Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka gjobitur me 10 mijë euro Soko Halilin, kandidatin për kryetar të Skenderajt, nga “Iniciativa Qytetare Për Skenderaj”, pas dy ankesave të dorëzuara nga Partia Demokratike Kosovës (PDK).
PDK kishte dorëzuar dy ankesa kundër kandidatit për Kryetar të Skenderajt, Sokol Halili, nën arsyetimin se i njëjti në rrjetin social Facebook, ka postuar një video që përmban gjuhë kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të PDK-së, për kryetar të kësaj komune, Sami Lushtaku; dhe në tjetrën për gjuhën e përdorur në një debat televiziv.
Në atë video-incizim të publikuar në rrjetin social Facebook , Sokol Halili, krahason largimin e pushtetit lokal në Skenderaj me largimin e “pushtetit gjenocidal serb” dhe ndër të tjera ka përdorur shprehjet “kriminel”, “hajn”, “banda kriminale” “spiun”.
Kurse, në ankesën e dytë, PDK pretendoi se se më datë 23.09.2025, Sokol Halili, nga subjekti në një debat televiziv, ka përdorur gjuhë kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Sami Lushtaku.
Në këtë debat televiziv, Sokol Halili, ndër të tjera, shprehet se “Sami Lushtaku është i njohur për famën e tij, karakteristikën e tij tipike kriminele ashtu siç është i njohur Millan Radojqiq në veri”, shkruan në vendimin e PZAP-së.
PZAP i ka kërkuar po ashtu Halilit, që nga momenti i marrjes së këtij vendimi t’i largojë nga rrjeti social Facebook postimet e datës 22.09.2025.
Sipas PZAP-së, Sokol Halili nuk është përgjigjur dhe nuk ka ofruar ndonjë përgjigje lidhur me pretendimet e parashtruesit të
ankesave.
PZAP ka përfunduar se Halili ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhje Lokale.
Paneli Zgjedhor ka ardhur në përfundim se në këtë rast është marrë për bazë konteksti, qëllimi dhe shprehjet e përdorura në rrjetin social Facebook dhe në debatin televiziv nga Sokol Halili, prandaj, sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim nxitje të dhunës dhe urrejtjes.
Subjekti politik “Iniciativa Qytetare për Skenderaj” ishtë gjobitur me 1 mijë e 500 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), edhe më 20.09.2025, për po të njëjtat arsye.
Më 18.09.2025, Sokol Halili, e ka fyer dhe ka krahasuar Sami Lushtakun, i cili po ashtu është kandidat për kryetar të Skenderajt, me Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë më 23.09.2023.
“Bashkë kundër çdo krimineli apo argati të armikut tonë shekullor serb, unë armik e kam vetëm Milan Radoiçiq dhe shokun e tij Sami Lushtaku, të tjerët janë viktimë, i hapur për të gjithë drenicakët, me përjashtim Sami Lushtakun”- kishte shkruar Halili në Facebook më 18.09.2025.
Në përgjigjen në ankesën ndaj tij, PZAP thotë se kandidati i Iniciativës Qytetare për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sokol Halili, ka kundërshtuar pretendimet e PDK-së, duke u shprehur se “nuk i ka bërë askujt të padrejtë dhe se nuk ka shpifur ndaj askujt”.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025. Fushata zgjedhore ka filluar më 13.09.2025 dhe do të zgjas deri në ora 06:59 të datës 12.10.2025.
Për të parin e Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025 do të garojnë tre kandidatë, Sami Lushtaku nga PDK, Sokol Halili nga Iniciativa Qytetare për Skenderajn dhe Hysni Mehani nga LVV.
Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni KËTU.






