Volodymyr Shkurov

“Pyetje e vështirë”: Kështu përgjigjet ambasadori ukrainas kur pyetet për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov ka thënë se shteti i tij së pari dëshiron që ta kalojë luftën me Rusinë, e më pas do të diskutojë për “shqetësime politike”, si njohja e pavarësisë së Kosovës.

Kështu është deklaruar ai në një intervistë për A2 CNN, ku është pyetur në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai e ka quajtur këtë një “pyetje të vështirë”, derisa shtoi se janë mirënjohës për mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.

“Kjo është një pyetje e vështirë dhe unë do të doja të përgjigjem. Ne jemi të vetëdijshëm dhe mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen e Kosovës për popullin e Ukrainës. Jemi të vetëdijshëm dhe mirënjohës për ndihmën humanitare. Ne dimë gjithashtu për përpjekjet për heqjen e kufizimeve të vizave për popullin ukrainas, si dhe gatishmërinë për të lejuar ukrainasit që ikin nga konflikti të gjejnë strehë në Kosovë”, ka thënë Shukrov.

Ai tutje ka deklaruar se Ukraina duhet të dalë fillimisht nga lufta, e më pas të diskutojë për shqetësimë politike.

“Për sa i përket njohjes së Kosovës, dua të them sa vijon: le të dalim ne, populli ukrainas, së pari nga vija e zjarrit, që të diskutojmë për shqetësime të tjera politike. Jeni të vetëdijshëm se konflikti është në vazhdim dhe se ushtarë, civilë, fëmijë, nëna dhe të moshuar po vriten çdo ditë. Si rezultat, Ukraina tani është e përqendruar vetëm në daljen triumfuese nga kutia e luftës. Pyetjeve në lidhje me politikën do të përgjigjen më vonë”, tha ai.

Ndryshe, që kur filloi agresioni rus ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti, Kosova ka ndarë 100 mijë euro si ndihmë ndaj këtij vendi, përcjell Demokracia.com.

Kosova ka pranuar që të strehojë refugjatë ukrainas dhe gazetarë që vijnë nga ky vend.

Zyrtarët ukrainas në vazhdimësi janë pyetur për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por nga ky vend kanë deklaruar se për ta është e rëndësishme që të tejkalohet lufta fillimisht