Pjesëmarrja e Evropës në bisedimet për paqe në Ukrainë do të jetë e nevojshme përfundimisht, por Moska së pari dëshiron që ta ndërtojë besimin me Uashingtonin, tha të hënën presidenti rus, Vladimir Putin, duke sugjeruar se një marrëveshje për përfundimin e konfliktit mund të jetë ende larg.

Përderisa Ukraina të hënën e shënoi trevjetorin e fillimit të pushtimit rus që ka lënë të vrarë mijëra civilë e ka zhvendosur miliona të tjerë, presidenti amerikan, Donald Trump, la të kuptohej se lufta mund të përfundojë brenda javëve, por nuk hyri në hollësi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Putini i tha televizionit shtetëror rus se Trumpi po i qaset konfliktit Rusi – Ukrainë në mënyrë racionale e jo emocionale, por e la përshtypjen që lufta mund të mos përfundojë aq shpejt sa do të donte homologu amerikan.

Kreu i Kremlinit shtoi se tema e përfundimit të luftës është prekur edhe në bisedën e tij telefonike me Trumpin, edhe në bisedimet e zhvilluara rishtazi mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë në Riad të Arabisë Saudite.

“Por nuk u diskutua në hollësi” – tha Putini në intervistë. “Ne vetëm u pajtuam që do të lëviznim drejt kësaj dhe, në këtë rast, natyrisht, ne nuk do ta refuzojmë pjesëmarrjen e shteteve evropiane” – shtoi ai.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë ankuar që nuk u ftuan në rundin fillestar të bisedimeve rreth Ukrainës, i cili u zhvillua javën e kaluar mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë në Riad, përcjell gazeta “Nacionale”.

Putini tha se Evropa “nuk kishte asgjë” të bënte me bisedimet në Riad, pasi ato ishin të përqendruara në ndërtimin e besimit mes Moskës e Uashingtonit, që është gjë kyçe, sipas tij.

“Për të zgjidhur çështje komplekse e më akute, si ato të ndërlidhura me Ukrainën, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë hapin e parë” – tha më tej presidenti rus.

“Nga çfarë përbëhet kjo? Hapi i parë duhet t’i kushtohet rritjes së nivelit të besimit mes dy shteteve, po çfarë kanë të bëjnë evropianët me këtë” – pyeti Putini.

Sipas tij, rundet e ardhshme të bisedimeve dhe të kontakteve të nivelit të lartë do t’i kushtohen ndërtimit të këtij besimi, por porsa negociatat të arrijnë te zgjidhja e konfliktit, prania e partnerëve evropianë do të jetë logjike.

“Pjesëmarrja e tyre në procesin negociues është e nevojshme. Ne kurrë nuk e refuzuam këtë, ne mbajtën diskutime të vazhdueshme me ta” – tha presidenti rus.