Gjykata e qytetit të Moskës hodhi poshtë ankesën e ekipit mbrojtës të opozitarit Alexei Navalny. Vendimi i gjykatës u la i pandryshuar, politikani u dërgua në një burg të regjimit të rreptë për nëntë vitet e ardhshme, raportuan korrespondentët e Interfax dhe Mediazona, kjo e fundit e shpallur agjend i huaj nga Rusia. Në mars, një gjykatë ruse e dënoi Navalnyn opozitarin e vetëm të Putinit, me nëntë vjet në një burg të regjimit të lartë për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës. Sipas prokurorisë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan një grup të organizuar, në të cilin mblidhte donacione.
Hetimi siguroi se në vend që të luftonte korrupsionin, Navalny shpenzoi para “për ekstremizëm dhe nevoja personale”. Si pjesë e çështjes së dytë, Navalny u shpall fajtor për fyerje të gjyqtares Vera Akimova. Në fjalimin e tij nga burgu, Navalny preku edhe temën e luftës në Ukrainë. “Kjo luftë, ashtu si gjykatat tuaja, është tërësisht e ndërtuar mbi gënjeshtra. Asnjë fjalë e vërtetë”, tha Navalny gjatë gjykimit.
Ai premtoi se autoritetet ruse, përfshirë drejtësinë, do të pësonin një “disfatë historike”. “Koha juaj nuk do të jetë gjithmonë dhe koha juaj do të kalojë. Dhe kur të digjeni të gjithë në ferr, gjyshërit tuaj do të hedhin dru në zjarr të cilët nuk donin që ju të filloni luftëra të reja në shekullin e 21-të. Kjo është gjithçka që doja të them”, kishte deklaruar opozitari i burgosur. Regjimi i rreptë i burgut ndryshon nga regjimi i përgjithshëm për sa i përket kufizimeve në numrin e vizitave, hapësirën e lëvizjes, shpenzimit të parave nga një llogari personale dhe kohëzgjatjes së shëtitjeve ditore në ajër të hapur.
Burgu në të cilën do të transferohet Navalny – IK-6 “Melekhovo” – konsiderohet si një nga më të pafavorizuarat. Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, torturat, rrahjet dhe përdhunimet ndodhin rregullisht këtu. Më 1 tetor 2023, Alexei Navalny supozohej të lirohej nga burgu pasi kreu dënimin në çështjen Yves Rocher. Megjithatë, në fund të marsit, ai u dënua me nëntë vjet burg, një vit e gjysmë kufizim lirie dhe një gjobë prej 1.2 milion rubla për rastin e mashtrimit dhe fyerjes së gjykatës.







