Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mos-akreditim të tri universiteteve publike, të Prizrenit, Pejës e Mitrovicës, nuk e ka habitur drejtuesin e Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovcin, i cili thotë se këto janë probleme të trashëguara të cilat nuk janë adresuar për shkaqe politike.
KSHC, në mbledhjen e mbajtur të hënën, vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që këtyre universiteteve t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.
Pupovci në një postim në Facebook thotë se sot nuk është marrë vendim për mbylljen e universiteteve në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren, por është marrë vendim për mosakreditimin e tyre.
“Brenda një viti duhet të bëhet vlerësimi tjetër dhe, nëse përsëri rezulton me mosakreditim të ndonjërit, atëherë universiteti përkatës mbyllet. Pra, ka kohë deri në mbyllje dhe kjo kohë duhet të shfrytëzohet për adresimin e vërejtjeve nga raporti i vlerësimit, pa paragjykuar motivet e vlerësuesve dhe “agjendat e fshehta” të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Këshilli vetëm po e kryen punën e vet, ashtu si e kryejnë autoritetet e pavarura në mbarë botën, pa kërkuar mendim dhe pëlqim nga Qeveria. Nëse kanë gabuar në procedurë ekziston Komisioni i ankesave, pastaj Gjykata”, thotë ai, transmeton Ballkani.info.
Sipas tij, qeveria këtu nuk ka punë dhe as që bën të përzihet. Ndërhyrjet politike në procesin e akreditimit na kanë kushtuar shumë.
“Para dy vitesh, një ndërhyrje e ngathtë politike rezultoi me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR), ndërsa ndërhyrja që po përgatitet do të ketë një efekt të ngjashëm – përjashtimin e Agjencisë nga Rrjeti Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA), ku statusi i saj tanimë është degraduar në “anëtar nën vëzhgim”. Kjo sjell izolimin e plotë të Kosovës nga Hapësira Evropiane e Arsimit të Lartë, dhe, në kushte të tilla, akreditimi e humb kuptimin e vet, ndërsa diplomat e arsimit të lartë e humbin vlerën jashtë kufijve të vendit”, përfundon ai. /Ballkani.info/







