Pupovci: Nga ky muaj do u qesim pagat në zero 32 zyrtarëve serbë që janë paguar pa ardhur në punë

Mbi 135 mijë euro i kanë kushtuar shtetit, pagesat për 32 zyrtarë të komunitet serb pa shkuar fare ata në punë. Ministria e Arsimit nuk po arrin as të kontaktojë me ta, përveç tre prej tyre të cilët janë përgjigjur në telefonatat nga institucioni. Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, zëvendësministri Dukagjin Pupovci tha se nga ky muaj do ua qesin pagat në zero. Ata kanë hyrë në listën e pagave pa ndjekur konkursin publik dhe kanë vetëm shkollim të mesëm.

Gjatë diskutimit në lidhje me Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2020, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se disa nga gjetjet janë për blerjen e librave në vlerë prej 5,2 milionë euro, keqklasifikimi i shpenzimeve si dhe pagesa e 32 pjesëtarëve serbë pa ardhur në punë.

“Opinioni për raportin e auditorit për vitin 2020 është raport i kualifikuar. Është bërë për shkak të disa gjetjeve, për shkak të mos shpalosjes dhe obligimeve për blerjen e librave diku në vlerë prej 5,2 milionë dhe për shkak të mos dorëzimit të faturës nga ana e kontraktorit. Po ashtu, mbivlerësimi i pasurive në Qendrën e Studentëve në vlerë 236 mijë euro. Keqklasifikim të vlerësimeve, mbivlerësim të shpenzimeve, subvencioneve dhe transfereve që kanë qenë në vlerë prej 270 mijë euro dhe pagesa e 32 zyrtarëve të komunitetit serb, ish-pjesëtarë të mbrojtjes civile në vlerë prej 135,7 mijë euro në mungesë të evidencave për vajtje-ardhje në punë”, ka deklaruar ajo.

Zëvendësministri para anëtarëve të komisionit ka treguar se kanë tentuar disa herë të kontaktojnë me këta 32 zyrtarë serbë, por që vetëm tre prej tyre janë përgjigjur.

“Vërtet kemi pasur shumë vështirësi, ne fillimisht kemi bërë përpjekje që të gjithë t’i kontaktojmë me telefona, vetëm tre janë paraqitur në numrat e telefonit që i kanë lënë. Për shumicën dërrmuese nuk kemi as informacione kontakti si duket dhe një veprim që kemi bërë është që në këtë muaj do t’i qesim pagat në zero në mënyrë që të na paraqiten. Pastaj kur t’i kemi ata njerëz të shohim se si mund të menaxhohet situata e tyre. Përndryshe, ministria jonë ka gati më së shumti persona të tillë që janë kaluar prej njërës nga marrëveshjet prej të kaluarës dhe mund t’i angazhojmë ata për punë vetëm në pjesën veriore të Kosovës”, ka njoftuar ai.

Më tej, Pupovci tha se këta 32 punonjës të ministrisë nuk kanë ndjekur konkurset publike dhe se të njëjtit kanë arsimim vetëm të shkollës së mesme.

“Kjo është një çështje e ndjeshme politike nuk është çështje e administratës. Ne, ata njerëz na kanë hyrë në listën e pagave jashtë të gjitha procedurave, ata nuk kanë marrë pjesë në konkurs publik, ata nuk i kanë ndjekur procedurat normale. Ata thjesht janë vendosur në listën e pagave dhe ata janë aty. Krejt çfarë kemi bërë ne përpjekje prej fillimit të marrjes së mandatit është që t’i kontaktojmë. Pothuajse të gjithë janë të koeficientit pesë, janë njerëz përgjithësisht me arsimim të mesëm”, shprehet ai.

Udhëheqësi i Divizionit të Financave në MAShTI, Fehmi Zulfiu ka folur për blerjen e teksteve me mbi 5 milionë euro.

“Kontrata ka qenë e nënshkruar për dy vjet, në bazë të Ligjit të Buxhetit. Kontraktorët të cilët kanë shpërndarë libra nëse ua kërkon faturën e raportimit, ata duhet të paguajnë tatimin ende pa i marrë fondet prej neve. Nuk kanë dashur që të deklarohen për arsyeje se ministria nuk ka paguar fondet. Auditori ka të drejtë që thotë të shpalos kontratën që përpara nuk ka ndodhë me kërkua sepse ka qenë e lidhur dy vjet në bazë të Ligjit të Buxhetit. Ministria gjithmonë ka pasur kërkesë shtesë, por këtë vit kemi realizuar këtë objektivë. Për shkak se garancioni që është dhënë nga Qeveria na i ka dhënë fondet në fundvit dhe kemi mbuluar obligimet. Në bazë të një garancioni që ka dhënë Qeveria ne kemi shpallur tenderin”, ka thënë ai.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Qerkin Morina theksoi se gjendja në këtë ministri po përkeqësohet.

“Ky është një nga raportet me gjetjet më së shumti dhe me mungesat më të mëdha në kuptimin e menaxhimit financiar, për sa i përket ministrive. Më shqetësuese është që këtu nuk ka një përmirësim të gjendjes, por gjendja vazhdon të përkeqësohet. Një vit më herët kanë qenë 14 rekomandime tani janë 22. Për më tepër, pesë prej tyre janë përsëritur. Është pak një neglizhencë e zyrtarëve të Ministrisë, nuk i kanë trajtuar fare. Kur përsëriten nga viti në vit, ato rezultojnë sigurisht me pasoja pak më të mëdha”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me 23 të gjeturat e Auditorit, zëvendësministri Pupovci deklaroi se kanë hartuar një plan veprimi ku nëntë prej tyre janë zbatuar. Po ashtu, ai ka tha se gjashtë universitet publike po ngarkojnë financat e Ministrisë.

Ky raport do të adresohet në seancë plenare.