Bislim Bislimi nga Sindikata e Punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, ka thënë se protesta e mbajtur sot nga ta për dhjetë minuta synim ka pasur kundërshtimin e zhvendosjes së stafit të kësaj ministrie në objekt tjetër dhe që aty të kalojë Presidenca e Kosovës.
“Nuk është kundërshtimi vetëm për faktin se ne zhvendosemi sepse është objekt publik dhe për këtë vendosin organet e Republikës së Kosovës. Fillimisht ekziston një vendimmarrje që nuk është analizuar në aspektin e implikimeve buxhetore”, ka thënë Bislimi, njofton Klan Kosova.
“Kemi të bëjmë me një investim milionësh në këtë objekt që nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e aktiviteteve të Presidencës. Sipas informatave tona Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë do të vendosen në një objekt privat me qira me 90 mijë euro në muaj për dy ministritë. Kjo e rëndon buxhetin e ministrisë”.
“Do të investohen mbi 15 milionë euro për renovimin e ndërtesës”.
Ai ka thënë në Info Magazine se do të protestojnë çdo ditë për të kundërshtuar vendimin që është marrë.
“Në takimin e sotëm pas protestës kemi vendosur që të zhvillojmë çdo ditë protesta dhjetë minutëshe nga ora dhjetë dhe do të vazhdojë pambarim”.
“Mbi 70% e stafit janë që kundërshtimi të vazhdojë deri në kthimin prapa të vendimit të zhvendosjes së dy ministrive dhe kalimin e Presidencës në këtë lokacion”.







