“Punë e diplomacisë kosovare që nuk bie ndesh me çështjen kombëtare’’, Ipeshkvia e Kosovës deklarohet për ambasadën e Kosovës në Jerusalem

Para dy jave, Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem duke u bërë vendi i parë evropian që hap një përfaqësi diplomatike të këtij niveli në kryeqytetin e kontestuar të Izraelit. Vendosja e ambasadës në Jerusalem ishte ndër vendimet e fundit të Qeverisë së udhëhequr nga Hoti.

Për njohjen që buroi nga Marrëveshja e Washingtonit të shtatorit të 2020 dhe për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem pati shumë reagime.

Disa e përshëndetën këtë hap e të tjerë e kundërshtuan ashpër. Në grupin e fundit bëjnë pjesë Bashkimi Evropian e Turqia, të cilët e kritikuan vendimin e qeverisë kosovare për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Por, është një vend, i cili ndonëse i vogël për nga madhësia ka rëndësi të posaçme në marrëdhëniet ndërkombëtare, që ka heshtur sa i përket kësaj çështje.

Shteti i Vatikanit deri më tani nuk ka folur rreth vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Megjithatë, sa i përket çështjes së Jerusalemit, Selia e Shenjtë është e qartë.

Ati i shenjt i katolikëve, Papa Françesku, pati reaguar kur ish-presidenti i SHBA-së njohu Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit.

Atëbotë i pari i kishës katolike deklaroi se nuk mund të hesht për shqetësimet e thella për Jerusalemin.

Tutje, Papa pati kërkuar respektimin e status quo-së të qytetit në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Por, Vatikani ka zgjedhur të heshtë rreth hapjes së Ambasadës kosovare në Jerusalem.

Për këtë çështje janë deklaruar Ipeshkvia e Kosovës, të cilët Reporteri i ka pyetur nëse e mirëpresin këtë hap të shtetit kosovar.

Në një përgjigje me shkrim, ata kanë thënë se vendimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem është çështje e diplomacisë së Kosovës.

“Këto janë çështje dhe vendime nën kompetenca të Shtetit tonë, përkatësisht diplomacisë së Kosovës, dhe ne zakonisht nuk i komentojmë ato, nëse nuk bien ndesh apo cenojnë çështjen tonë kombëtare dhe të ardhmen e vendit tonë’’, tha Ipeshkvia e Kosovës.

Kujtojmë që Bashkimi Evropian e Turqia patën reaguar për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem duke i kërkuar palës kosovare të respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat nuk e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Madje në adresë të Kurtit pati edhe letra nga shteti turk, që i kërkonte ta rishqyrtonte këtë pozicion të Kosovës karshi temës së Jerusalemit.

E Kryeministri i tanishëm i vendit, Albin Kurti, i ka premtuar Turqisë se do ta rishqyrtojë këtë vendim, të cilin qëndrim e pati mirëpritur ambasada e këtij vendi në Prishtinë.

Në letrën e urimit për Kurtin, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi edhe një herë të parit të qeverisë kosovare ta rishqyrtonte vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Njohja e ndërsjelltë Izrael-Kosovë ishte pjesë e ‘Marrëveshjes’ së Ëashingtonit dhe ishte negociuar nga Presidenti Trump.