Publikohet raporti i “Freedom House”Kosova i vetmi vend në Ballkan që ka shënuar zhvillim të demokracisë në 5 vitet e fundit, Serbia me së keqi

‘Freedom House’, ka vlerësuar së Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që ka shënuar rritje të indeksit të demokracisë gjatë 5 viteve të fundit në disa fusha.

Sa i përket rajonit, përkeqësimin me të rëndë e kanë shënuar Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë rënë nga kategoria e demokracive në atë të  vendeve në tranzicion. Të dhënat më pozitive i përkasin Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë shënuar përmirësime në një sërë fushash.

Dy fushat ku ka shënuar progres Kosova janë, mediat e pavarura dhe vlerësimi i Qeverisjes Demokratike Kombëtare.

Sipas këtij raporti thuhet se vlerësimi i Qeverisjes Demokratike Kombëtare u përmirësua nga 2.50 në 2.75 për shkak të lëshimit të pushtetit nga qeveria në pushtet në një koalicion të udhëhequr nga opozita pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që rezultuan nga dorëheqja e mëparshme e Kryeministrit.

Si dhe vlerësimi i pavarur i mediave është përmirësuar nga 3.00 në 3.25 për të pasqyruar një prirje pozitive drejt pluralizmit në sektor me rritjen e larmisë së degëve, si dhe rritjen e financimit të donatorëve për media të pavarura me qëllim të rritjes së edukimit në media dhe kundërveprimit të dezinformatave.

“Freedom House” vlerëson se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka siguruar rritje të indeksit të demokracisë gjatë 5 viteve të fundit.  E megjithatë, thuhet më tej, zhvillimet e fundit atje, hedhin dyshime mbi progresin e mëtejshëm.

Organizata me bazë në SHBA, vlerëson se një numër udhëheqësish në Evropën Qëndrore, Ballkanin Perëndimor dhe Euroazi as nuk pretendojnë më të shqetësohen për demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke sulmuar haptazi institucionet demokratike e duke punuar për kufizimin e lirive individuale në rajon.

Shqipëria shënon përkeqësim sa i përket qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit në raportin vjetor të “Freedom House”, “Vendet në Tranzicion”. Vendi ynë vazhdon të jetë një demokraci në tranzicion ose hibride, ndërsa indeksi i demokracisë bie nga 3.89 në 3.82. Shtetet vlerësohen në një shkallë nga 1 në 7, ku 7 është niveli më i lartë i progresit demokrati.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.18 pikë, krahasuar me 3.11 sa ka pasur vitin e kaluar.

Përparim të lehtë ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, duke siguruar 3.75 pikë, krahasuar me 3.68, vitin e kaluar.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë shënuar përkeqësim, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë mbetur në të njëjtën pozitë.

Kështu thuhet në raportin e “Vendeve në tranzicion, 2020”  nga “Freedom House” ku vlerësohet gjendja e qeverisjes demokratike në 29 vende në Europë dhe Euroazi./gazetametro.net