Publikohet bilanci i fundit nga koronavirusi në Maqedonin e Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë informon se në Institutin për Shëndet Publik janë regjistruar 17 pacientë të shëruar.

Gjatë 24 orëve të fundit tre pacientë kanë humbur betejën me Covid-19. Viktimat janë nga Shkupi, Tetova dhe Struga.

Në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një 58 vjeçar nga Struga dhe një 47 vjeçar nga Shkupi. Në Spitalin e Qytetit “8 shtatori” ka ndërruar jetë një 43 vjeçar nga Tetova, i cili ishte shtrirë në spital me 19 maj.

Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve janë regjistruar 25 raste të reja me Covid-19 nga gjithsej 622 teste të realizuara.

Sipas qyteteve ku janë regjistruar rastet e reja janë: Shkup 14, Shtip 4, Kumanovë 2, Tetovë 2 dhe në Prilep, Strugë dhe Veles nga 1 të infektuar.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vendin tonë me Covid-19 shkon në 2039, numri i të shëruarve ka arritur në 1470 janë shëruar, 119 kanë humbur betejën me virusin. Për momentin në vendin tonë ka 450 raste aktive me Covid-19.