MSH

Publikohet bilanci i 24 orëve të fundit rreth koronavirusit në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se janë identifikuar 12 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe numri total i të prekurve nga fillimi i pandemisë në shkon në 981.

Për më shumë se 3 javë nuk ka asnjë humbje jete, ndërsa 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha se kurba epidemike ka paraqitur qëndrueshmëri gjatë dy javëve të fundit, por me luhatje ditore përkundrejt rasteve të raportuara dhe të identifikuara nga shërbimi epidemiologjik.

Megjithatë, pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot kemi një rritje të rasteve në spitalin infektiv. Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive.