Publikohen pamjet: Momenti kur Rron Gjinovci shoqërohet për në polici

Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), Rron Gjinovci është shoqëruar në stacionin policor në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur vet Gjinovci përmes një statusi në ‘Facebook’. Arsyja për këtë, sipas tij, është ekspozimi i plagjiaturave të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

“Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë më parë. Kjo po ndodh kur Ministër i Brendshëm është Agin Veliu i qeverisë jolegjitime Hoti. P.S. Jam mirë, i shoqërum nga avokatja Rina Kika”, ka shkruar Gjinovci.

Pas kësaj, ORCA ka lëshuar një komunikatë ku thuhet se aktivisti Rron Gjinovci, është liruar pasi është konstatua nga prokurori kujdestar se aktiviteti i sotëm nuk kishe elemente të asnjë vepre penale.

Në këtë komunikatë, thuhet se Gjinovcit iu shqiptua vërejtje verbale për mosrespektim të procedurave për lajmërimin e aktivitetit.

Komunikata e plotë e ORCA-së:

Ju njoftojmë se aktivisti Rron Gjinovci u lirua nga stacioni i policisë pasi u konstatua nga prokurori kujdestar se aktiviteti i sotëm nuk kishe elemente të asnjë vepre penale. Atij iu shqiptua vërejtje verbale për mosrespektim të procedurave për lajmërimin e aktivitetit. Vlen të theksohet se kjo po ndodh për herë të parë në përvojën tonë të gjatë të organizimit të aktiviteteve të ngjashme protesutese. ORCA dyshon se kjo është e motivuar politikisht nga Qeveria aktuale dhe Ministri i Brendshëm Agim Veliu, të cilët po mbrojnë kolegun e tyre plagjiator Ministrin e Arsimit Ramë Likaj.

ORCA falënderon avokaten Rina Kika e cila ishte prezente përgjatë shoqërimit të Gjinovcit si dhe Togerin Eshref Beqiri i cili u tregu tejet profesional në ekzekutimin e detyrave të tij.