PSG nuk gabon ndaj Nantes

Paris Saint-Germain ka marrë një fitore të vuajtur mbrëmjen e sotme pasi ka mundur 4-2 në shtëpi ekipin e Nantes në javën e 26-të të kampionatit francez të futbollit.

Vendasit nuk kanë humbur kohë dhe kanë arritur të kalojnë në avantazh pas vetëm 12 minutash lojë. Autori i goli ka qenë Leo Messi, i cili ka dërguar topin në rrjetë pas një depërtimi në zonën e rreptësisë.

Pesë minuta më mbrapa ka ardhur edhe goli i dytë për parisienët. Këtë herë ka qenë një dhuratë nga miqtë me Hadjam që ka realizuar një autogol qesharak.

Rezultati ka ndryshuar përsëri në minutën e 31-të. Kanë qenë miqtë që kanë shënuar këtë herë me Blas. Ky i fundit ka befasuar Donnarumma-n me një goditje drejt portës nga një kënd i pamundur.

Befasia ka ardhur në minutën e 38-të, kur Nantes ka gjetur edhe golin e barazimit. Nga një goditje nga këndi ka ardhur goli i Ganago-s, i cili është lënë çuditërisht I pambuluar nga mbrojtja vendase.

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 60-të, vendasit janë kthyer përsëri në avantazh. Ka qenë Danilo Pereira që ka çuar shifrat në 3-2 pas një asisti të bukur të marrë nga Mbappe.

Në minutën e 92-të ka ardhur edhe goli i sigurisë për parisienët. Gol që është shënuar nga Kylian Mbappe, i cili ka fiksuar rezultatin në 4-2 dhe i ka dhuruar tri pikët skuadrës së tij.