Mesfushori francez

PSG e lë jashtë skuadrës Rabiotin pas refuzimit për rinovimin e kontratës

Adrien Rabiot do të mbetet jashtë skuadrës për një periudhë të pa caktuar, për shkak se 23 vjeçari refuzoi të nënshkruajë kontratë të re me Paris Saint Germainin.

Drejtori sportiv i PSG-së, Antero Henrique e ka akuzuar Rabiotin për mashtrim lidhur me dëshirën e tij për të rinovuar kontratë e cila i përfundon në fund të këtij sezoni.

Henrique nuk tregoi nëse Rabiot do të largohet që në janar nga parisienët, derisa raportohet se Barcelona kryeson listën e skuadrave të interesuara për shërbimet e mesfushorit francez, pa harruar këtu edhe klube tjera si Liverpool, Tottenham dhe Juventus.

“Në këtë pikë nuk do të ketë rihapje të diskutimeve. Ky është një vendim që e mori klubi pas një takimi që e kam pasur me futbollistin. Rabiot më njoftoi se nuk dëshiron të zgjat kontratën dhe të largohet si transferim i lirë në verën e ardhshme. Për lojtarin do të ketë pasoja të qarta, ai do të mbetet në bankën rezervë për një periudhë të pa caktuar”, zbuloi Henrique.

Drejtori sportiv i Paris Saint Germain theksoi se marrëveshja për zgjatjen e qëndrimit të Rabiot në “Parc des Princes” tashmë ishte pranë finalizimit, teksa e ka akuzuar palën e futbollistit për mungesë respekti ndaj klubit.

Rabiot është formësuar si futbollist që nga ekipet e moshave te Paris Saint Germaini, ndërsa nuk është hera e parë që tregon sjellje të tilla, gjersa gjatë Kampionatit Botëror kishte refuzuar të jetë pjesë e listës rezervë të përzgjedhësit të Francës, Didier Deschamps, kurse që nga ajo kohë Rabiot nuk është ftuar te kombëtarja e “gjelave”.