Pse u vendos Taksa 100%?

Sipas Kushtetutës, Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, që lidhë marrëveshje ndërkombëtare dhe dhe anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, dhe merr pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Republika e Kosovës i njeh detyrimet e saj që rrjedhin nga CEFTA dhe vazhdimisht i ka implementuar me mirëbesim të gjitha detyrimet që rrjedhin. Republika e Kosovës gjithmonë e ka konsideruar CEFTA-n si bazën për krijimin e një ekonomie të tregut të lirë bazuar në standardet dhe parimet ndërkombëtare të tregtisë së lirë.

Ndërsa zbaton plotësisht detyrimet e veta, Kosova ka raportuar vazhdimisht dështimet nga Republika e Serbisë për t’iu përmbajtur obligimeve të tyre që rrjedhin nga CEFTA. Serbia ka kryer akte që shkelin detyrimet e CEFTA-s, ka ndërhyrë në rendin kushtetues të brendshëm dhe ka kërcënuar sovranitetin, sigurinë e Kosovës.

Pas Deklaratës së Pavarësisë të vitit 2008, bizneset e Kosovës pësuan vështirësi të mëdha në eksportimin e produkteve në Serbi. Eksportuesit kosovarë janë të detyruar të gjejnë mënyra alternative të qasjes në treg që rezultojn me kosto shtesë të udhëtimit, logjistikë dhe administrate. Qeveria e Kosovës dhe bizneset individuale të Kosovës raportuan rregullisht shkelje nga Serbia, duke përfshirë mos pranimin e pullave doganore të Kosovës, ndalesa doganore arbitrare, pengesa teknike dhe procedurale të panevojshme, dhe masa të tjera jo fiskale. Këto ankesa janë regjistruar në bazën e të dhënave të CEFTA-s dhe u janë dërguar organeve të ndryshme të CEFTA-s, përfshirë Komitetin e Përbashkët për Konsultime dhe Nën-Komitetin për Barrierat Jo Tarifore. Këto ankesa u janë dorëzuar gjithashtu autoriteteve të Serbisë. Asnjë konsultim ose rezolutë nuk u realizua: Serbia nuk ka arritur asnjëherë të adresojë në mënyrë adekuate këto çështje. Në raste të rralla kur u adresuan ankesat, të njëjtat pengesa u rishfaqën vazhdimisht.

Aktet e vazhdueshme dhe sistematike të agresionit nga Serbia, shkeljet e detyrimeve të CEFTA-s, dhe ndërhyrja në integritetin kushtetues të Kosovës na kanë detyruar si Qeveri e Kosovës t’i marrim vendimet në bazë të nenit 17 (përjashtime të përgjithshme) dhe nenit 18 (përjashtime të sigurisë) të CEFTA-s për kompensim. Neni 17 i jep një të drejtë të përgjithshme shteteve të kufizojnë importet për shkak të politikës publike dhe sigurisë publike. Neni 18 i jep një shteti të drejtën specifike për të “marrë ndonjë masë […] për mbrojtjen e interesave të tij thelbësore të sigurisë […] në kohën e […] tensionit serioz ndërkombëtar që përbën kërcënim lufte.”

Serbia vazhdimisht është angazhuar në akte që krijojnë tension ndërkombëtar, përbëjnë kërcënim lufte dhe kërcënim për sigurinë publike. Serbia kërcënon të vendosë ushtrinë e saj në Kosovë, ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës përmes mbështetjes së strukturave të paligjshme dhe grupeve kriminale, dhe provokon tensione ndëretnike me një shumëllojshmëri të mjeteve, duke përfshirë mbështetjen e saj për kriminelë të dënuar të luftës.

Për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të CEFTA-s nga Serbia, kërcënimeve për sigurinë kombëtare, ndërhyrjen në rendin e brendshëm kushtetues, minimin e aspiratave të ligjshme dhe legjitime të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Kosova pohon paprekshmërinë e Kushtetutës, e cila parashikon që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i paprekshëm, i patjetërsueshëm, i pandashëm dhe i mbrojtur me të gjitha mjetet e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj. Qeveria e Kosovës, në zbatim të nenit 92 (4) dhe 93 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 21 nëntor 2018 miratoi një vendim që, përveç të tjerash, përcakton një taksë prej 100% për produktet e importuara me origjinë në Serbi, dhe një ndalim për importin e produkteve që përmbajnë përshkrime të tilla si `Kosova dhe Metohija`,` Kosova UNMIK`, Kosova 1244`, ose ndonjë titull tjetër që është në kundërshtim me përcaktimin e duhur Kushtetues të Republikës.

Taksa 100% për një Kosovë 100%.

Tregu për njohje!

loading…