Pse po hesht Prokuroria? – Këto janë dëshmitë se Ministria e Shëndetësisë, gjatë pandemisë, ka blerë pajisje me çmime më të shtrenjta deri në 3500% DOKUMENT

Ditë më parë Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur mbledhje në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarët e këtij komisioni, kryesisht të opozitës, thanë se gjatë kohës së pandemisë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Arben Vitia, ka nënshkruar kontrata të dëmshme, milionëshe, me operatorë ekonomikë.

Lidhur me këtë, ky komision ka kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë në hetimin e këtyre kontrave, ndërsa një raport të tillë e ka përcjellë Prokurorisë së Shtetit.

Ballkani.info e ka siguruar raportin e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku janë paraqitur të dhënat dhe çmimet për blerjën e masakve, dorëzave dhe pajisjeve tjera për të luftuar koronavirusin.

Në këtë raport janë cekur çmimet shumë të larta në krahasim me rajonin gjatë blerjes së këtyre pajisjeve. “Çmimet në procedurën e dytë të datës 28.02.2020: Respiratory Maska FFP2 çmimi 8.50, Veshje mbrojtëse 7.00, Mburojë për fytyrë 5.60, Dorëza 0.06, Dezinfektues 6.00, Termometër infra të kuq për ballë 23.50 euro. Çmimet për ‘Respiratory mask” FFP2 në rajon janë: Mal i Zi 0.95 euro, Serbia 1.21 Euro, Poloni 2.6 Euro. Në internet mund të gjesh këtë lloj të maskës me çmim nga 0.90 Euro të ‘Ali Baba’, ndërsa MSH i ka paguar me çmime 8.50 Euro”, thuhet në raportin e siguruar nga Ballkani.info.

Po ashtu në këtë raport thuhet se syzet mbrojtëse në rajon dhe në internet mund të gjenden me çmim nga 0.50 deri 1.05 Euro, ndërsa Ministria e Shëndetësisë i ka paguar me çmim 2.50 euro.

Për dorëza aty thuhet që sipas çmimit indikativ/referent janë 0.04 euro, ndërsa MSH i ka kontratuar me çmim 0.06 Euro, ndërsa procedurën e dhjetë këtë çmim e rritë deri në 0.52 Euro.

Në raport janë përmendur edhe disa nga kompanitë që kanë përfituar kontrata në kohën e pandemisë.

Aty thuhet se vetëm dy kompani kanë përfituar Brenda dy muajve nga Ministria e Shëndetësisë tender në vlerë mbi 5.5 milionë euro në procedurë të negociueshme. Ndërkaq totali i 13 kompanive që kanë përfituar gjatë kësaj kohe në MSH-ja është 7 milionë e 283 mijë e 149 euro.

Në raportin e Komisionit janë përmendur edhe çmimet tjera të larta si ato për veshje mbrojtëse që MSH-ja i ka kontaktuar me 12.20Euro e çmimi i tyre, gjithnjë sipas raportit, fillon nga 1 dollarë e lartë.

Në përmbledhjen e Komisionit, thuhet se bazuar në dokumentacionin e pranuar nga Ministria e Shëndetësisë për kontratat e nënshkruar me procedurë të negocimit gjatë kohës së pandemisë dhe dyshimeve të bazuara për keqpërdorim të Buxhetit të Kosovës.

Aty thuhet se Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë COVID-19 ka bërë blerje të produkteve dhe pajisjeve mjekësore me çmime abusive, shumëfish më të shtrenjta se çmimet e tregut në Kosovë dhe rajon. Sipas tyre, çmimet shkojnë deri në 3500% më shtrenjtë se kontratat që QKUK (SHSKUK) ka pasur për produkte të njëjta.

“Në takimin e Komisionit Parlamentar të datës 26.05.2020 edhe sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi ka deklaruar se janë kontraktuar produkte dhe pajisje me çmime mbi 1000% se çmimet e treguar”, thekson Komisioni.

Më poshtë e gjeni raportin e plotë: