Pse po fshehet Dekreti nga U.D. Presidentja? Vjosa Osmani së pari shpalli zgjedhjet, pastaj shpërndau Kuvendin

Vetëm pak orë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për votimin jo-kushtetues të Qeverisë Hoti, më 6 janar 2021 ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021. Për dallim nga ky vendim që u bë publik nga vetë Presidenca, deri më sot askush në publik nuk e ka parë një dekret që shpërndan Kuvendin e Kosovës, që sipas Kushtetutës duhet t’i paraprijë shpalljes së datës së zgjedhjeve, nga ana e Presidentit të vendit. Në Zyrën e U.D. të Presidentes pretendojnë se ka Dekret për shpërbërje të Kuvendit, por se numri i protokollit të cilit i referohen ata për dekretin në fjalë zbulon se ai është nxjerrë nga e njëjta zyrë pas Vendimit për Shpalljen e Zgjedhjeve.

Reporteri.net, prej ditësh është duke kërkuar në Zyrën e Ushtrues së Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe në atë të Kuvendit të Kosovës, dekretin për shpërbërjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Por, i njëjti dokument që do të duhej të ishte publik, dhe sipas ligjit i botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, nuk i është ofruar gazetës.

Në interesimin nëse ka dekret për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Vjosa Osmanit, pohon se kjo e fundit, si u.d. e Presidentes së vendit më 6 janar 2021 ka nxjerrë dekretin nr. 03/2021 për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për votën në Kuvend të ish-deputetit të dënuar Etem Arifi.

“u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Rastin KO95/20, pas konsultimit paraprak me subjektet politike, dhe duke u mbështetur në dispozitat ligjore dhe praktikat paraprake, para shpalljes së datës së zgjedhjeve e ka shpërndarë legjislaturën e shtatë, përmes Dekretit nr.03/2021, të datës 6 janar 2021”, thotë Kupina në përgjigjen e tij me e-mail.

“Pas nxjerrjes së Dekretit, është pasuar me Vendimin për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shton ai në përgjigjen e së martës.

Por, i njëjti sikurse në e-mailin e parë të gazetës, ashtu edhe në dy e-maila tjerë , nuk është përgjigjur në kërkesën për të bashkangjitur si dokument dekretin e Presidencës për shpërndarjen e Kuvendit, të cilit i referohet edhe ai vetë në përgjigje.

Por, për dallim nga Dekreti, i cili sipas ligjit, do të duhej të ishte i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, Presidenca qysh në njoftimin e shpalljes së zgjedhjeve, të datës 06 janar 2021, publik ka bërë vetëm vendimin për caktimin dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vendimi në fjalë mbanë numër protokolli 02/2021, që është numër paraprak me atë të dokumentit 03/2021 të cilit i referohet Kupina në përgjigjen e tij, ndonëse sipas tij Dekreti është nxjerrë para dhe pastaj ka pasuar Vendimi që është publikuar nga vetë Zyra e u.d. Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Numri i protokolli nxjerr në pah se pa marrë parasysh ditën, Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë para se të nxjerret Dekreti për shpërbërje të Kuvendit. Madje, dokumenti i fundit nuk është botuar ende në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, që sipas ligjit në Kosovë secili akt hyn në fuqi pasi të jetë bërë një gjë e tillë, për dallim nga vendimi 02/2021 që është publikuar menjëherë me 06 janar 2021.

Për më tepër, tek dekretet në Gazetën Zyrtare, të vitit 2021 nuk është i publikuar asnjë akt i tillë nga Presidenca, rrjedhimisht viti 2021 nuk ekziston i krijuar ende si kategori. I njëjti akt nuk gjendet as në faqen e Presidencës së Kosovës.

Por për dallim nga ana e Zyrës së Kryeparlamentares dhe tash u.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Zyra e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës, prej të hënës e deri më sot nuk kanë dhënë sqarime rreth kësaj situate, përkundër insistimit dhe ripërtëritjes së pyetjeve nga ana e Gazetës.

Kjo zyrë nuk ka treguar nëse kanë pranuar dekretin për shpërbërje e Kuvendit dhe nëse rast se ka ndodhur një gjë e tillë, kur ka shkuar dokumenti aty.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës nuk ka sqaruar as nëse në rast se nuk ka dekret për shpërbërje të Kuvendit nga ana e Presidencës, a mund të konsiderohet i shpërndarë Kuvendi pas shpalljes së zgjedhjeve.

Se Kuvendi duhet të shpërndahet, sipas rregullimit Kushtetues, me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetues së Kosovës, e thekson edhe gjykata Kushtetuese në aktgjykimin për rastin KO95/20, për votimin e 3 qershorit në Kuvend, të Qeverisë Hoti.

Aty, Gjyqtarët Kushtetues që në unanimitet shpallen jo-kushtetuese Qeverinë Hoti, shprehimisht theksojnë se Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj nuk i ka ndërprerë mandatin Kuvendit në mënyrë automatike.

“Në fund, Gjykata gjithashtu sqaron se konstatimi që Vendimi i kontestuar i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, nuk rezulton me shpërndarjen automatike të Kuvendit.”, Kushtetuesja në pikën 286 të vendimit të saj i publikuar i plotë më 6 janar 2021, i shpallur 16 ditë para, më 21 dhjetor 2020.

Paragrafi 3 i Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, që rregullon Zgjedhjen e Qeverisë, të cilit i referohet gjykata thotë se “Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, e që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur më 3 qershor 2020.

Rrjedhimisht, aktgjykimi konsideron se me mos përmbushjen e këtij neni, në rastin e votimit të Qeverisë Hoti është konsumuar edhe paragrafi 1 i këtij neni që parasheh se “1. Kuvendi shpërndahet në këto raste: (1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;”.

Ndërkohë, “Data e Shpalljes së Zgjedhjeve” rregullohet me nenin 4 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë, ligj të cilit i referohet zyra e Osmanit edhe në vendimin e 6 janarit 2021 për shpalljen e zgjedhjeve. Paragrafi 5 i nenit 4 të këtij ligji tij përcakton se “Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat.”