Pse një popull pro-amerikan gëzohet kaq shumë që kryeministrin ia pranuan në takim amerikanët?

Populli më pro-amerikan në botë, shqiptarët e Kosovës, nuk po e mbajnë të fshehur gëzimin që kryeministri i tyre është pritur nga sekretari i shtetit Anthony Blinken.

Kështu nuk ka qenë në të kaluarën kur presidentët dhe kryeministrat e mëparshëm takonin zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë edhe presidentët amerikanë, shkruan Demokracia.com.

Por, pse duhet të gëzohen kosovarët për takimin e Kurtit?

Përgjigjja është e thjeshtë: Kurti gjithmonë është parë si një antiamerikan. Diskursi i tij ka qenë gati çdoherë i tillë.

Por, takimi i së martës pasdite nuk i garanton kosovarët që të rrinë të qetë. Kurti ende nuk dihet se çfarë përgjigje do u japë kërkesave amerikane dhe kjo mund të jetë hyrja e fundit e Kurtit në Shtëpinë e Bardhë.

Në janar të këtij viti, Blinken ia kishte përcjellë kërkesat amerikane kryeministrit Kurti përmes një letre.

Sekretari amerikan kishte kërkuar që t’i kushtohet vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës.

Pos rrymës, Blinken kishte kërkuar nga Kurti edhe avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur.

Tutje, Blinken kishte thënë se këto çështje janë në interes të Kosovës, të cilat çojnë drejt një kompromisi në plan afatshkurtër.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, kishte shkruar Blinken.

Në këtë letër, Blinken kishte kërkuar indirekt nga Kurti që të bëhej Asociacioni i Komunave Serbe dhe të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit, përkundër që nuk theksohen specifikisht. /Demokracia.com/