Pse Kurti ia përmendi emrin kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarit raportues në kërcënimin e ‘Gardës Vullnetare Shqiptare’?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka denoncuar një kërcënim ndaj tij, duke thënë se është kërcënuar edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.

Megjithatë në kërcënim që Kurti e ka publikuar, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare” nuk ia përmend askund emrin kryetares së Gjykatës Kushtetuese e gjyqtarit raportues, Nexhmi Rexhepi.

Emrat ua përmend Kurti atyre!

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”, është shprehur ai.

Kurti ka vlerësuar se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po i frikohet humbjes së rastit në Gjykatën Kushtetuese, teksa e ka quajtur atë “kapoja i Pronto-s”.

“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, ka shkruar Kurti.

“Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë”, ka thënë kryeministri në detyrë.

“Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.”, është shprehur Kurti.