Më 21 prill të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputetë të opozitës kishin polemizuar në Kuvend lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Derisa i kishte dalë në mbrojtje Krasniqit, Kurti pati thënë se atij po i bëhet gjyqi në seancë të Kuvendit. Ai e ka cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij, duke e ndërlidhur me figurën e kandidatit për kryeprokuror shteti, Blerim Isufaj. Për këto qëndrime Kurti ishte akuzuar nga ligjvënësit opozitarë se po mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili ka qenë zyrtar i Vetëvendosjes.
E të hënën, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për korrupsion të rëndë ndaj Nagip Krasniqit të Vetëvendosjes, tashmë ish kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, shkruan Ballkani.info.
Mospërfillje e rekomandimeve të ZRRE-së, zyrës ligjore të KEK-ut e grupit punues për ndërprerje të tregtimit të rrymës me kompani të palicencuara. Dëm prej 3.2 milionë euro për KEK-un. Shmangie tatimore prej 531,920,79 euro. Destabilizim të tregut e diskriminim të operatorëve të licencuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hënën ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”.
KEK-u në krye me Krasniqin, ka nënshkruar kontrata kornizë me tregtarë të cilëve nuk u është njohur licenca në Kosovë. Përkundër reagimeve dhe shkresave zyrtare nga ZRRE që të ndalojë aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të pa licencuar, KEK-u ka vazhduar të kryejë aktivitete në kundërshtim me obligimet ligjore.
Sipas aktakuzës, “duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri më datë 19 prill 2023 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në KEK, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoj tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me nenin 32 par. 2 dhe 3 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe nenin 28 par.1 dhe par.2 dhe nenin 30 par. 1 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë“.
Në atë seancë të Kuvendit, Kurti madje e kishte akuzuar edhe Prokurorinë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.
Kurti i kishte dalë Krasniqit në mbrojtje, teksa ka thënë që në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.
Ai ka theksuar se në seancë plenare opozita është duke ia bërë gjyqin “një njeriu që i ka sjellë mbi 100 milionë euro fitime KEK-ut”. Kurti, ndërkaq, e ka kualifikuar Prokurorinë si selektive, ndërsa ka thënë se ajo “me zellin e njëjtë nuk kanë vepruar edhe me dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme”.
Këtë ai e ka ndërlidhur me figurën e Isufajt, aftësitë e të cilit i ka vënë në pikëpyetje.
“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon, shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë. Ndërkaq ka shprehur bindjen se Isufaj nuk do ta marrë pozitën që synon.
“Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”, ishte shprehur Kurti.
Akuzat ndaj Prokurorisë, Kurti i ka bërë pasi që deputetët nga subjektet opozitare e kishin braktisur seancën.
Por shefat e grupeve parlamentare që e dëgjuan fjalimin e tij jashtë sallës së Kuvendit u kthyen sërish në sallë për të nisur polemika me Kurtin.
Abelard Tahiri, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se pushteti po e mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili “qenë zyrtar i Vetëvendosjes” (LVV).
“Ekziston tashmë një siklet shumë i madh te ju dhe te grupi parlamentar. Por ta përkujtoj, që gjënë e parë që duhet ta bëni sot ju është që të mblidheni dhe ta shkarkoni Bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin që tashmë po mbahet në burg. Personi që po mbahet në burg, po mbahet edhe në detyrë nga pozicioni juaj”, ka thënë ai.
Ndërkaq kundërshtime rreth qëndrimit të Kurtit për Isufajn ka shprehur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami.
“Prokurori të cilin ju nuk e doni dhe po thoni se ai me çdo kusht dëshiron që të bëhet prokuror…, sikur të dëshironte me çdo kusht të bëhej prokuror, ai do të vinte me dosjen e Nagip Krasniqit në zyrën tënde dhe të bënte pazar. Por, përkundrazi, ai nuk po dëshiron të bëjë një gjë të tillë”, ka deklaruar Bajrami.
Nga opozita ishin ngritur dyshime edhe për lidhje të mundshme të Krasniqit me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të distancohet nga kryeshefi i arrestuar i KEK-ut.
“Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51-përqindëshit korruptiv, po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është: Mos e mbroni, qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishajt”, kishte thënë Tahiri.
Përveç Kurtit, merita Krasniqit i kishin dhënë edhe figura tjera kyçe të LVV-së.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, thoshte se në mandatin e tij, të ardhurat e KEK-ut ishin rekorde.
“Po e bëj një paralele me arrestimin e ish-drejtorit të BQK-së, Hashim Rexhepi. Arrestime të tilla nuk ndodhin pse i jepen tenderë dikujt, por pse nuk i jepen tenderë dhe kontrata dikujt tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.
Edhe më në detaje për sukseset e Krasniqit fliste Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Dje Bordi i KEK-ut ka pezulluar nga detyra kryeshefin Menjëherë pas kësaj, mbrëmë kemi vizituar termocentralet e kek-ut ku u informuam me mbarëvajtjen e punëve. KEK-u ka mbyllur vitin e kaluar me shumë suksese me fitim rekord. Sivjet dhe dy vjetët e ardhshme jemi në një periudhë kritike në KEK, sepse me investimet që po bëjmë do të sigurojmë që termocentralet të jenë në funksion për 20 vjetët e ardhshëm”, kishte thënë Rizvanolli.
Deputetët e VV-së, Armend Muja dhe Halil Thaçi ishin ata të cilët gjithashtu folën për këtë rast.
Ky i fundit, madje thoshte se Krasniqi e kishte ndalur gjakderdhjen më të madhe financiare në Republikën e Kosovës.
“E kam thënë edhe në prononcimet e mia për media, po e them edhe tani, se kam qenë dhe jam i brengosur për sigurinë e një personi siç është Nagip Krasniqi, person ky që ka arritur që të ndalë gjakderdhjen më të madhe financiare në Republikën e Kosovës. Ky person ka qëndruar në vijën e parë të përballje më ata që shtetin dhe asetet e tij i shohin si plaçkë lufte, duke i përvetësuar për veten e tyre dhe familjarët dhe shokët e tyre që në përgjithësi janë të lidhura më ish-regjimin”, është shprehur ai. /Ballkani.info/







