Pse 2 milionëshi i avulluar u mbajt i bllokuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe nuk u paguan operatorët ekonomikë?

Vazhdon të jetë aktuale tema e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Sot u raportua se ishin zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës ata që arritën të vërejnë ‘avullimin’ e këtyre dy milionë eurove, meqë ato para ishin destinuar për disa projekte, respektivisht për rikonstruimin e rrugës nacionale “Prizren-Prevallë”.

Labinot Gruda është një nga të dyshuarit për ‘avullimin’ e 2 milionë eurove nga buxheti i Thesarit të Republikës së Kosovës.

Në dosjen e Prokurorisë së Shtetit thuhet se Gruda për një periudhë kohore prej 8 minutash ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove në llogarinë e kompanisë LDA Group Shpk me bazë në Llapushnik.

Mirëpo, burime të Ballkani.info hedhin dyshime lidhur me pagesën që është dashur t’i bëhej operatorëve ekonomikë për rregullimin e rrugës “Prizren-Prevallë”, pagesë kjo që më pas ka shkuar në kompaninë fiktive të Llapushnikut.

Burimet e Ballkani.info thonë se nga data (afërisht) 08.09.2020 operatorët ekonomike të kontraktuar për projektin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, kanë dorëzuar faturat për avans (parapagim) në Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht tek Drejtori i Financave në këtë ministri, Besnik Hajdari.

Dhe duke pasur parasysh këtë informacion, lindin disa dilema që ne do t’i parashtrojmë në formë të pyetjeve publike për Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht Drejtorinë e Financave të kësaj ministrie?

Pyetjet tona publike janë:

  • Pse nuk është lëshuar avansi për Operatorët Ekonomike afërsisht që dy muaj kur të gjitha mjetet kanë qenë në dispozicion të MI-së, të gjitha procedurat janë përfunduar dhe kanë ngecur në Drejtorinë e Besnik Hajdarit?
  • Kush i ka zotuar këto para (përdoruesi/user)
  • Kush e ka lëshuar urdhër pagesën (përdoruesi/user)
  • Kush nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës e ka bërë pranimin në sistemin Free Balance (burime të gazetës kanë informacione se me USE të zyrtarit të MI-së është bërë pranimi). Burimet tona thonë se zyrtari i MI-së i cili ka bërë pranimin në sistemin Free Balance nuk është më pranuesi, ai ka kaluar në një drejtori tjetër, prandaj shtrohet pyetja pse useri i tij ende është i hapur kur nuk e ushtron atë detyrë. Pse Besnik Hajdari nuk është përkujdesur për mbylljen e kësaj llogarie?
  • Kush e ka certifikuar pagesën (përdoruesi/useri)