PSD: Telekomin e braktisi Qeveria e kaluar, fajin e ka Albin Kurti dhe Rozeta Hajdari

Partia Socialdemokrate e ka bërë fajtore Qeverinë Kurti për gjendjen në Telekom, madje kjo parti ka përmendur dy emra, Albin Kurtin dhe ish ministren Rozeta Hajdari.

PSD ka thënë se Kurti dhe Hajdari duhet të përgjigjen për situatën e krijuar tani në Telekomin e Kosovës, ata kanë thënë se si ka mundur të humb lënda e Telekomit e përgatitur nga stafi i ish-ministres ndaj “Z-Mobile”.

Reagimi i plotë nga PSD:

Çfarë kohërash, çfarë ngjarjesh?! Sapo e kuptuam se Z-Mobile mund ta fitojë edhe një arbitrazh kundër ndërmarrjes më fitimprurëse publike, Telekomit, duke e çuar atë drejt falimentimit, pa një përgjijgje në padi nga institucionet publike. Asnjë fjalë! Dhe kur? Kur po qeverisnin “bijtë e popullit” kundër oligarkëve.

Shihni si paska ndodhur, përgjigja në padi e përgatitur nga stafi i afërt i ministres, bashkë me Avokaturën Shtetërore paska humbur nëpër sirtarët e administratës. Gjithë ato borde u shkarkuan, kurse lënda e Telekomit paska humbur. A dëgjuat, fajin për këtë e paska SHIK-u. Si është e mundur që një lëndë aq e rëndësishme, rreth të cilës angazhohen gjithë ata profesionistë, thjesht humbet rrugës. A nuk kërkoi llogari direkte për këtë ministrja Hajdari e kryeministri Kurti?! A u pushua nga puna dikush për këtë papërgjegjësi?Ish kryeministri Kurti dhe ish ministrja Hajdari duhet të përgjigjen për këtë. Qeveria që ata udhëhiqnin nuk e paska mbrojtur Telekomin. Ky është fakti. Për shkaqet e motivet nuk do t’i kopjojmë diskurset e tyre komplotiste, por kërkojmë hetim deri në fund. Pavarësisht se në derën e kujt shpie ky hetim.Kjo ngjarje e konfirmon edhe një herë hipokrizinë që e kaluam. Terminalet e shumëpërmendura të oligarkëve as nuk u zunë në gojë. T’u rritej tatimi, nuk u bë fjalë.

Neoliberalizmi grabitqar e ka dorë të djathtë zyrtarin e korruptuar shtetëror. Në anën tjetër, në pamundësi për t’i përmbushur pritjet, veçori e populistëve po bëhet gënjeshtra në emër të popullit. Të dyja këto duhet t’i refuzojmë.