Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para objektit të Qeverisë, ku ka vendosur një pankartë me mbishkrimin “Strukturat paralele u legalizuan, rroftë qeveria”.
Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se nuk ka marrëveshje në dialogun Kosovë – Serbi, por ka dakordim.
“Janë marrë vesh, e nuk na kanë treguar për çfarë janë marrë vesh. Këtë e kanë vërë me qëllim për shkak që ata kanë bërë një marrëveshje dhe është shumë e dëmshme, për shkak se marrëveshja e re i ka legalizuar, i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë, që janë edhe ilegale”, ka thënë Molliqaj para gazetarëve.
PSD në një komunikatë ka thënë se deklaratat e Kurtit, Bislimit e Konjufcës se nuk bëhet fjalë për asociacionin “i mori uji”.
“Iku pa u komentuar, pa u dalluar, pika që e bëri të pranueshme për Vuçiqin marrëveshjen për dokumentet e identifikimit (ID). Problemi fillon kur kjo pikë bëhet pozicion zyrtar edhe i shtetit tonë. Kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia. Letërnjoftimet në fjalë e trajtojnë Kosovën si pjesë të brendshme të Serbisë. A nuk është ky cenim dhe degradim?”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Iku pa u komentuar, pa u dalluar, pika që e bëri të pranueshme për Vuçiqin marrëveshjen për dokumentet e identifikimit (ID). Problemi fillon kur kjo pikë bëhet pozicion zyrtar edhe i shtetit tonë. Kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia. Letërnjoftimet në fjalë e trajtojnë Kosovën si pjesë të brendshme të Serbisë. A nuk është ky cenim dhe degradim?
Por në fund të ditës, këto marrëveshje të pjesshme nyjëzohen tek Asociacioni etnik. Prej deklaratave që nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës e deri te pozicioni që njeh dokumentet ilegale është kapërcim i madh. Zhvillim dramatik!
Deklarata publike nga Kurti, Bislimi dhe Konjufca se nuk bëhet fjalë për Asociacion, kur bisedohet me Serbinë, i mori uji. Pozicioni i Kosovës kundër Asociacionit po tretet. Mbase kurrë nuk paska qenë. Dhe krejt kjo në emër të normalizimit të marrëdhënieve.
Por çka po normalizohet? Ky term nuk është neutral. Në këtë situatën po normalizohet mosnjohja, po përjetësohet tensioni dhe po ruhet konflikti.
Zhurma e festës së propagandës nuk mund as t’i kompensojë, as fsheh humbjet.







