PSD me aksion për 1 Majin: Punëtorët në sektorin e shitjes me pakicë më të shtypurit

Partia Socialdemokrate ka shënuar me aksion 1 majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në këtë mënyrë PSD ka kritikuar disa biznese të shitjes me pakicë për shtypje të drejtave të punëtorëve.

Aktivistët e PSD-së kanë vendosur një pankartë në Lakrishtë, tek ura në hyrje të Prishtinës, me mbishkrimin “shitje me pakicë, shtypje me shumicë”.

Anëtari i PSD-së, Nol Nushi, tha se kanë zgjedhur pesë nga kompanitë më të mëdha të këtij sektorit për t’i vendosur në banerë, pasi sipas tij kanë përfituar ndihna nga shteti mirëpo punëtorët e tyre nuk kanë qenë të mbështetur.

“Po e shënojmë ditën e përpjekjen e punëtorëve për kushte më të mira të punës. Për sektorin ku ka shtypje të madhe për sektorin e shitjes më pakicë, të gjithë punëtorët punojnë me paga të vogla dhe me orar të tejzgjatur. Këtu i kemi vendosur emrat e kompanive më të mëdha, ku janë subvencionua me miliona euro e këto s’kanë shkuar tek punëtorët”.

“Ky sektor është sektor esencial, pasi na kanë shërbyer gjatë pandemisë. Këta nuk janë trajtuar si punëtorë të rrezikuar nga pandemia, dhe të përfshihen në pako emergjente. Ata nuk janë vetëm shitës, ata pastrojnë, punën e ngarkim-shkarkim, për sigurim. Shumica prej tyre nuk kanë kontrata. Duke mos qenë të mospërfshirë në kontrata nuk kanë mundur të përfshihen në pako sa do të vogla që kanë qenë”.

“Qeveria duhet t’i listojë si punëtorë esencial dhe të përfshihen në pako ndihmëse. Pandemia ka tregu pabarazi të madhe në sektorin privat, ende nuk kemi një Qeveri që merret me këtë sektor. Pronarët kanë vazhdu me përfitua pandalesë, ndërsa punëtorët kanë punuar dhe nuk kanë përfituar asgjë”, tha Nushi.