PSD: Korrupsioni, shkaktari kryesor i ikjes së qytetarëve nga vendi

Partia Socialdemokrate ka prezantuar sot në një konferencë për media disa pika për luftimin e korrupsionit, pasi vlerëson se transparenca është një ndër sistemet më të mira në luftën kundër korrupsionit.

Kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti tha se luftimi i korrupsionit është prioritet i PSD-s, dhe për këtë mori shembull menaxhimin e komunës së Prishtinës dhe atë të Kamenicës.

Sipas tij, tashmë është e ditur se pa luftimin e korrupsionit, Kosova nuk mund t’i afrohet integrimit evropian. Ndërsa, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, adresoi kritika për partitë që janë në pozitë dhe LDK-në në opozitë, duke thënë se nuk kanë asnjë strategji për luftimin e korrupsionit.

Sipas saj, AAK, PDK dhe LDK, në vend se të ndërtojnë një sistem të pavarur, vetëm sa e kanë degraduar, me ndikimin në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë të afërt me partitë e tyre. Pantina paraqiti edhe hapat që sipas saj duhen ndërmarrë për luftimin e korrupsionit. Ajo renditi edhe hapat që duhet ndërmarrë për luftimin e korrupsionit, e që sipas saj janë: organizimi i procesit të vettingut, një transparencë radikale në raport me proceset gjyqësore, publikimi i një platforme ‘online’ për publikimin e të gjithë emrave që integrohen në sistemin e drejtësisë, dhe në fund formimi i një task-force në nivel të lartë shtetëror që synim parësor ka shqyrtimin e të gjitha punësimeve dhe keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike.

Sa i përket situatës së krijuar në Kuvend si rezultat i mungesës së deputetëve në seanca, i pari i PSD-së tha se është shenjë e keqe që nuk po mund të mblidhet as një kuorum i thjeshtë. Krejt në fund, ai ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë të Kosovës për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës për të ndihmuar katedralen e djegur Notre Dame në Paris, për çka është shprehur se derisa vendi po merr kredi për investime nga Franca, po dërgon mjete për ndihmë atje.