PSD-ja ia rikujton VV-së arrestimet që janë bërë duke kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë

Nol Nushi, sekretar organizativ i Partisë Socialdemorkate (PSD), të martën ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje iu janë dashur nëntë vite që ta nënshkruajë një marrëveshje të njëjtë me Serbinë për energjinë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se për këto nëntë vite ka pasur shumë arrestime e lëndime të aktivistëve të LVV-së për ta kundërshtuar një marrëveshje të tillë.

“Pra, nga viti 2013, qenkan dashur 9 vite kohë, qindra arrestime e lëndime te aktivisteve, qindra tubime e takime, mijëra fjalime populliste, qindra premtime elektorale, që në fund të nënshkruhet e njëjta marrëveshje me Serbinë”, ka shkruar Nushi.

“Kjo nuk është thjesht hipokrizi, as thjeshte humbje kohe. Kjo është mungese guximi politik e mungese njerzilleku”.

Të martën në Bruksel është arritur marrëveshja për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmbajtja e marrëveshjes i jep autorizim kompanisë “Elektrosever” që të shpërndajë faturat e energjisë elektrike te serbët në Veriun e Kosovës. Kjo kompani do të licencohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE).