Sot në Ditën e Evropës Partia Socialdemokrate (PSD), e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, shënon njëvjetorin e “riformatimit” të saj.

Nënkryetari i PSD-së, Dukagjin Gorani, u shpreh se gjatë vitit të parë partia e tij ka bërë përpjekje ta rikthejë drejtësinë sociale, barazinë mes gjinive dhe funksionimin e shtetit, shkruan gazeta “Zëri”.

Dje në një konferencë për medie Gorani theksoi se gjatë vitit të parë të partisë vendi është ballafaquar me kriza qeveritare, ngërçe parlamentare e qëndrime konfrontuese të politikanëve, por gjatë kësaj kohe PSD-ja u angazhua të bëjë dallimin. “Ishte një vit i sfidave shoqëroro-kolektive e personale, një vit i krizave qeveritare. Ishte edhe një vit i ndasive grupore e partiake. PSD-ja u angazhua ta bëjë dallimin opozitar dhe të opozitës destruktive. Tash e një vit PSD-ja vazhdon shtrirjen e saj”, ka deklaruar ai.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, theksoi se kjo parti ka treguar një përkushtim dhe një angazhim konkret për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve të mëdha në vend. Ajo shtoi se Partia Socialdemokrate përmes udhëheqjes së saj në Prishtinë dhe në Kamenicë ka rritur barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje.

“Detyrat më të mira të punës sonë janë qeverisja në Prishtinë dhe në Kamenicë, ku përmes politikave socialdemokrate e zhvillimore kemi dhënë shembull të barazisë, të qeverisjes me transparencë, të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka potencuar Pantina.