Thellohet kriza

PSD i përgjigjet ashpër VV: Veseli e Rakiq të pranueshëm për Kurtin kur ia mundësojnë pushtetin

Partisë Socialdemokrate ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pohuar se “me sa shihet, Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit dhe Lista “Srpska” e Goran Rakiqit, nuk janë problem për Vetëvendosjen e Albin Kurtit kur ia mundësojnë atij pushtetin, por vetëm kur ia pamundësojnë”.

Reagimi i PSD-së vie pas deklaratës së sotme të deputetit të Vetëvendosjes Sami Kurteshi, i cili ka akuzuar PSD-në për bashkëpunim me Kadri Veselin dhe Goran Rakiqin.

Reagimi i plotë i Partisë Socialdemokrate:

Në vazhdën e etjes së saj për pushtet me çdo kusht, Lëvizja Vetëvendosje! paska zgjedhur sot komunën e Kamenicës për t’i vazhduar sulmet ndaj Partisë Socialdemokrate, duke e manipuluar opinionin publik përmes viktimizimit të saj. Lëvizja Vetëvendosje! jo vetëm se nuk dëshiron që të flitet për arsyet e shkarkimit të anëtarëve të saj nga pushteti lokal, por edhe po e fsheh faktin se kryesuesi i Kuvendit Komunal të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! ishte zgjedhur edhe nga asambleistët e Partisë Demokratike e Kosovës dhe nga Lista “Srpska”. Me gjuhën e sotme të Vetëvendosjes!, kjo nënkupton se kryesuesi i Kuvendit Komunal i Lëvizjes Vetëvendosje! së Albin Kurtit është votuar nga Kadri Veseli dhe Goran Rakiqi. Me sa shihet; Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit dhe Lista “Srpska” e Goran Rakiqit nuk janë problem për Vetëvendosjen! e Albin Kurtit kur ia mundësojnë atij pushtetin, por vetëm kur ia pamundësojnë. E vërteta është se zyrtarët e shkarkuar nga qeverisja komunale në Kamenicë janë shkarkuar për shkak të papërgjesisë profesionale dhe dyshimeve për shpërdorime gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Qeverisja lokale e Kamenicës edhe sot vazhdon me të njëjtën përbërje politike. Edhe sot në pushtetin ekzekutiv janë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe aty do të jenë për sa kohë punojnë mire dhe drejtë në të mirën e Kamenicës. Hipokrizinë e Vetëvendosjes! në emër të subjektivitetit partiak e dëshmon më së miri shembulli i Sami Kurteshit të PDK-së, të cilit qytetarët e Gjilanit i treguan së fundi se nuk mjafton ta kesh siglën e Vetëvendosjes! për t’i fituar zgjedhjet. Siç e dëshmon edhe rasti i aderimit të Donika Kadaj-Bujupit në Vetëvendosje! nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili qe mirëpritur asokohe nga Albin Kurti dhe puthadorët e tij të sotëm, ani se ajo ishte zgjedhur deputete si kandidate e AAK-së. Partia Socialdemokrate e mbështet plotësisht punën e Qëndron Kastratit, që po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht për transformimin radikal që po e sjellë në qeverisjen lokale të Kamenicës; si dhe për luftën e tij të pakompromis ndaj keqpërdorimeve dhe abuzimeve me pushtetin. Në luftën e saj kundër krimit dhe korrupsionit, Partia Socialdemokrate nuk i nënshtrohet asnjë kërcënimi, presioni dhe shantazhi. Nuk ka prapakthim dhe nuk mund të ndalet ndryshimi pozitiv i Kamenicës i filluar me programin politik të përzgjedhur nga qytetarët, e të cilin po e zbaton dhe po e jetëson në përpikëri kryetari Qëndron Kastrati me qytetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e tij politik.