Ambasada e Federatës Ruse në Kanada ka provokuar shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg duke ripostuar statusin e këtij të fundit në median sociale “X” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Kosovo is Serbia🇷🇸 https://t.co/g14IqDM9n8 pic.twitter.com/hft0zB5y8G

— Russia in Canada (@RussianEmbassyC) September 29, 2023

Këshilli i Atlantikut të Veriut në mbledhjen e 29 shtatorit, diskutoi me aleatët për situatën në Kosovë duke u shprehur të shqetësuar për tensionet që janë rritur në veri.

Stoltenberg deklaroi të enjten se ai kishte “autorizuar forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”.

Kjo është hera e dytë në tre muaj që NATO rrit kapacitetin e forcave të saj në vend.

Aktualisht ka rreth 4 mijë e 500 personel të Forcave të Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO të stacionuar në vend.

Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte vënë në dispozicion të KFOR-it një batalion prej 500 deri në 650 trupa.

Ministria e Mbrojtjes tha se trupat kishin mbërritur së fundmi në rajon për stërvitje të planifikuara prej kohësh.

Më herët, Komisioni i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, konsideroi se Rusia po shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi.

Kjo, në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit – në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi.

Në raportin e mbështetur nga 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrjet e Huaja, thuhet se përpjekjet e Rusisë për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, duhet parë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar idenë e autoritarizmit të Evropë.

Ndërhyrja e Rusisë në rajon, sipas raportit ushtrohet “në Bosnjë nëpërmjet Republikës Serbe [entiteti serb në BiH], në Mal të Zi duke shfrytëzuar ndjenjat pro serbe si dhe Kishën Ortodokse serbe dhe në Kosovë duke shfrytëzuar dhe nxitur mosmarrëveshjet ekzistuese në veriun e Kosovës”.