Protestojnë mjekët: Situata është më rëndë se kurrë, Ministri Vitia na ka neglizhuar

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po proteston para Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se Ministri Vitia vazhdimisht ka neglizhuar kërkesat e mjekëve.

“Ministri Arben Vitia përgjatë tërë këtyre muajve, mu në kohën e pandemisë e ka neglizuhar totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka neglizhuar çdo takim sociale. Vitia as që ka ftuar që të vazhdohet me dialog social dhe që kërkesat tona të shkojnë përmes tij në Qeverinë e Kosovës. Sot situata është më e rëndë se kurrë. Vitia, punëtorin shëndetësor e ka lënë në mëshirë të disa menaxherëve të vegjël”, u shpreh ai.

Ai ka shtuar se shtesat nga 60 euro ende nuk i kane marrë dhe ka paralajmëruar se në protestat tjera do të jenë më të zëshëm.

Mjekët kanë kërkuar edhe vazhdimin e dialogut social dhe nxjerrjen e udhëzimit administrativ për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Protesta e mjekëve është paralajmëruar të zhvillohet edhe para Kryeministrisë e Presidencës.