Protestat

Protestat i kushtojnë qeverisë franceze deri në 10 miliardë euro

Vala e protestave në Francë dhe dhuna që i ka shoqëruar ato përgjatë këtyre 4 javëve të fundit, e ka pasur tashmë koston e saj tek ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës.

Bllokimet e rrugëve, demonstratat dhe trazirat në Paris e qytete të tjera të vendit, i kanë lënë raftet e mjaft supermarkteve bosh, kanë penguar blerjet dhe kanë frikësuar turistët.

Sipas ministrit të Financave, Bruno Le Maire, situata e krijuar nga protestat që kanë sjellë me qindra arrestime, 1.400 të lënduar e 5 vdekje nga aksidente të lidhura me to, do të kushtojë 0.1 për qind të rritjes ekonomike të Francës për tremujorin e fundit të vitit 2018.

Masat sociale të Macron do t’i kushtojnë 10 miliardë euro buxhetit të Francës.

Kostoja e njërës prej krizave më akute të vendit, në më shumë se një dekadë, mendohet të mbërrijë në 10 miliardë euro, duke përfshirë këtu edhe 6 miliardë eurot e masave të reja të premtuara nga Emmanuel Macron për të fashitur zemërimin popullor si dhe humbjet e llogaritura te 3.9 miliardë eurot nga mosvendosja e shtimit të taksës mbi karburantet fosile.

Për blerësit, kjo ka qenë një kohë e vështirë, sepse vërshimi i jelekëve të verdhë nëpër rrugë ka detyruar mbylljen e shumë dyqaneve e qendrave tregtare, ndaj një pjesë e tyre, dhuratat e fundvitit kanë zgjedhur t’i blejnë “online”.

Federata e Tregtisë dhe Shpërndarjes, një grup industrial që përfaqëson shumë prej rrjeteve kryesore të dyqaneve në vend, vlerëson se shitësit kanë pësuar më shumë se një miliard euro humbje nga gjendja e krijuar, e më të goditur sipas saj kanë qenë sektorët e lodrave, veshmbathjeve dhe ushqimit.