Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar do të protestojë sot para Kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe është e dyta pas protestës së 16 shkurtit para kryeministrisë, ku nuk munguan incidentet.
Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.
Planet e masave të marra nga policia për sot janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar për 48 orë dhe ka dhenë leje deri në mesnatë. Ashtu si në 16 shkurt, PD kërkonte që leja për tubim që nistë në orën 11:00, por të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar. Policia e ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.
Në kërkesën e saj, PD njofton policinë se protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para kryeministrisë, Lulishtja tek piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.
Në terren do të angazhohen 1600 efektivë. Për të shmangur dëmtimin e godinës së Kryeministrisë si dhe hyrjen e protestuesve brenda, godina e Kryeministrisë është veshur me llamarina në ambientet e jashtme.
Shoqërohet një protestues, ofendoi punonjësit e policisë me fjalë
Ora 10:30- Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se një qytetar që kishte mbërritur për protestën në Bulevard është shoqëruar nga policia pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj efektivëve të policisë që ndodhen rreth Kryeministrisë. Nuk dihet identiteti, por sipas burimeve, qytetari do merret në pyetje dhe mund të lirohet.
Basha mbërrin në selinë e PD, shoqërohet nga bashkëshortja
Ora 10:20- Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth 1 orë para nisjes së protestës para godinës së kryeministrisë. Mësohet se kryedomokrati ka mbërritur në seli së bashku me bashkëshorten e tij.
Opozita protestë para kryeministrisë, ja nga do e ndjekë Rama
Ora 10:05-Kur na ndajnë më pak se 1 orë nga protesta e opozitës përballë godinës së kryeministrisë, mësohet se kryeministri Edi Rama nuk do jetë në Tiranë. Mësohet se kryeministri Edi Rama do jetë në qytetin e Beratit, ku do zhvillojë në orën 10:30 një takim me 200 operatorë turistik.
Emigranti: Kam ardhur nga Britania për protestë. Jo diktaturës
Qindra qytetarë janë nisur nga Shkodra për të ardhur në Tiranë ku do të zhvillohet protesta e opozitës së bashkuar. Por përveç qytetarëve që jetojnë çdo ditë në vend, protestës i janë bashkuar edhe emigrantë që jetojnë jashtë shtetit. Një prej tyre, Naim Hasani i ardhur nga Britania tha se të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e ndershëm duhet të protestojnë kundër regjimit kriminal të Rilindjes dhe për të mbrojtur votën e lirë. Ai bëri thirrje që protesta të jetë paqësore për t’i treguar botës se shqiptarët janë një komb qytetar që nuk e do diktaturën.







