Protesta kundër dhunimit të 11-vjeçares, por Presidentja ende nuk e emëron Kryeprokurorin

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares ka tronditur gjithë opinionin publik dhe ka bërë që mijëra protestues të dalin në rrugët e Prishtinës. Përndryshe vetëm gjatë këtij viti është raportuar edhe për qindra raste tjera të dhunës në familje por veçanërisht të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Megjithatë presidentja Vjosa Osmani vazhdon të mos e dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit Blerim Isufaj sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë ankesat e kundër-kandidatëve.

Po ashtu, padia e tyre është refuzuar edhe nga Gjykata Themelore duke konfirmuar se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

Mirëpo, shefja e shtetit nuk do të nxjerrë ende ndonjë vendim mbi dekretimin ose jo të Blerim Isufajt, të propozuarit për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës deri pas përfundimit të procedurave gjyqësore lidhur me këtë proces.

Kështu ka deklaruar më 20 gusht të këtij viti këshilltari për i shefes së shtetit, Bekim Kupina, i cili ka shtuar se e para e shtetit është njoftuar zyrtarisht se çështja është duke u trajtuar në gjykata të rregullta.

“Presidentja është njoftuar zyrtarisht se çështja është duke u trajtuar në gjykata të rregullta. Për t’i respektuar instancat gjyqësore, derisa të përfundojnë këto procedura, presidentja nuk do të veprojë. Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, presidentja në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese do t’i ndërmarrë veprimet e duhura”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Kupina për KP.

Gjykata Kushtetuese më 4 korrik të këtij viti ka hedhur poshtë kërkesat e Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët e kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit, kjo gjykatë i ka shpallur të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkohë që mesditën e 8 prillit, zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ishte dorëzuar dosja e Kryeprokurorit të Ri të Shtetit, Blerim Isufaj.

Kurse, dy ditë para dorëzimit të dosjes së Isufajt në zyrën e presidencës, më 6 prill Këshilli Prokurorial kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Isufaj kishte marrë votat absolute të 11 anëtareve të KPK-së.

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ishte kundërshtuar nga ambasadorët e huaj në Kosovë dhe organizata vendore.

Lidhur me votimin për Kryeprokuror të Shtetit, kishte reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Sipas tij, fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.

Por, ndonëse e kishte kundërshtuar procesin, ambasadori i ShBA-ve nuk e kishte kontestuar figurën e Blerim Isufajt, Kryeprokurorit aktual të Prokurorisë Speciale.

Reagim për këtë proces ka pasur edhe nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Ai nëpërmjet një postimi në Twitter ishte shprehur i zhgënjyer për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkruante ambasadori në Twitter.

Krahas tyre, të mërkurën e 6 prillit kundër dekretimit të Blerim Isufat kishin dalë edhe tre organizata të shoqërisë civile. Ata i kishin kërkuar presidentes Osmani të mos e dekretojë Isufajn dhe të shpallë një konkurs të ri.

Kurse, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një reagimi kishte thënë se procesi i përzgjedhjes ishte “plotësisht legjitim”, pavarësisht kundërshtimeve që ka hasur nga ambasadat e huaja në Kosovë.

Votimi i Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit u kundërshtua edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe Adnan Rrustemi, shkruan Paparaci.

Dimal Basha kishte deklaruar se KPK-ja “është koka e krimit brenda sistemit prokurorial”.

“Duhet me sulmu nga koka se koka është e kalbur. KPK është koka e krimit brenda sistemit prokurorial të Kosovës”, deklaroi Basha, në një fjalim në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kurse, Adnan Rrustemi e kishte cilësuar të “kapur shtetin e Kosovës” duke iu referuar votimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, si dhe proceseve zgjedhore në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit (SBAShK).

Duke iu referuar një deklarate të Dimal Bashës, i cili e quajti KPK-në “kokë të krimit brenda sistemit prokurorial”, Këshilli e dënoi sulmin të cilëson e cilësoi “të mënyrës më të ulët”.

Në garën për kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit Blerim Isufaj ishte renditur si më të suksesshmin me 98 pikë.

Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Blerim Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit do ta zëvendësojë Aleksandër Lumezin.

Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022 Kurse, mandati i Aleksandër Lumezit në krye të këtij institucioni kishte përfunduar më 21 prill.

Kurse, më 22 prill si ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit ishte emëruar Besim Kelmendi.