Tiranë

Protesta e opozitës në Tiranë, Avokati i Popullit: Qytetari pretendon se është rrahur nga policia, ndjekim rastin

Avokati i Popullit ka bërë një reagim për protestën e opozitës përballë Kryeministrisë ditën e djeshme, ku 11 protestues janë shoqëruar nga policia për shkak të dhunës në protestë.

Në reagim, Avokati i Popullit thotë se do ndjekë rastin e një prej protestuesve të shoqëruar, i cili pretendon se është dhunuar nga policë civilë gjatë protestës.

Njoftimi i Avokatit të Popullit:

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar sot protestën e organizuar nga opozita në Tiranë. Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.

Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon: Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.

Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.

Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.

Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.

Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit. 

VIDEO BONUS: Pagat e ulëta| Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë sërish në Prishtinë