Protesta dhe funerale Greqi, përcillen në banesën e fundit viktimat! Vazhdon identifikimi

Me pikëllim të madh dhe ende pa marrë një përgjigje për shkaqet e tragjedisë janë zhvilluar ceremonitë e varrimeve të më shumë se 7 viktimave të aksidentit hekurudhor që u ka marrë jetën të paktën 57 personave, shumica të rinj, të martën e kaluar, midis tyre edhe Ifigjenia Micka e cila u përcoll në banesën e fundit në qytezën e Gjanitsase , 40 km larg Selanikut.

Trupat pa jetë të dy personave të tjerë me origjinë shqiptare u janë dorëzuar familjarëve, ndërsa dy të tjerë konsiderohen ende të humbur.

Te paktën 55 viktima janë identifikuar, 48 është numri i të plagosurve që trajtohen në spitale të ndryshme, ndërsa ende nuk ka një numër të saktë për personat që konsiderohen të humbur.

Hetimet po përqendrohen edhe tek fakti se çfarë shkaktoi shpërthimin dhe zjarrin e madh në vagonët e dytë dhe të tretë të trenit të pasagjerëve ku u gjetën edhe më shumë viktima.

Ndërsa nga vendi i aksidentit po hiqen pjesët e mbetura të vagonëve për tu çuar në një hapësire të posaçme ku do të vazhdojnë hetimet, avokati i përgjegjësit te stacionit ka kërkuar seancë të re deponimi në orët e ardhshme.

“Ka pasur prova të reja të paraqitura gjatë marrjes në pyetje, për të cilat ne nuk ishim në dijeni, ishin te reja, e cila na detyroi të kërkojmë një datë të re për deponim , kështu që marrja në pyetje do të bëhet nesër.”– tha avokati i stacionit Stefanos Pantzartzidis.

Ndërkohë disa prej avokatëve të të plagosurve kërkojnë të shikohen materialet nga kamerat e stacionit duke hedhur dyshime se përgjegjësi nuk ka qenë në postin e tij.

“Kush është arsyeja që përgjegjësi i stacionit nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte, edhe nëse bëri gabim që nuk e ktheu çelësin? Do të thotë se ai nuk ishte në postin e tij. Ne i kërkojmë të akuzuarit, përgjegjësit  të stacionit, të thotë të vërtetën, të përgjigjet para drejtësisë dhe të na tregojë qartë se kujt i referohet.”- tha avokati i njërit nga pasagjerëve George Bartziokis.

Ndërkohe mediat greke i kanë bëre jehonë lajmit se qeveria shqiptare ka shpallur ditën e dielë zi kombëtare për viktimat e aksidentit ndërsa gjithë programet televizive kanë ndryshuar programin.