Në Gjykatën Speciale po zhvillohet debat i ashpër në lidhje me fazën e hetimeve të mbrojtjes.
Pierre Richard Prosper, që është në ekipin mbrojtës të Thaçit tha se mbrojtja s’ka qenë në gjendje të fillojë seriozisht hetime.
“Ne nuk jemi në gjendje të fillojmë punët hetimore seriozisht në prill. Dhe kjo është për dy arsye: Është nxjerrja e materialeve në mënyrë që të dijmë se çka duhet të hetojmë, sidomos nga dokumentet dhe organizatat e ndryshme ku kërkohet hetim më i hollësishëm i tyre. Unë nuk dua të them se ZPS nuk ka vështirësi, unë kam qenë në pozitën e tyre në vende të ndryshme, por duhet t’i kërkoj Prokurorisë që ta kuptojnë edhe pozitën dhe kompleksitetet me të cilat përballemi ne. Sepse ne nuk jemi në gjendje të përmbushim përgjegjësitë tona sepse nuk kemi informacion. Kjo është çështje edhe e të drejtave të njeriut”, tha ai.
Ai tutje shtoi se Prokuroria duhet t’i përmbushë mandatet e saja. Ai shtoi se është e çuditshme që Prokuroria gati një vit pas ngritjes së aktakuzës të merret sërish me hetime.
“Prokuroria duhet ta përmbushë mandatin e saj, mirëpo nëse hetimet vazhdojnë dhe ato nuk lidhen me ne, atëherë kjo pengon punën tonë. Unë vërej që Prokuroria ka dorëzuar gati një vit më parë aktakuzën, dhe thonë se ende janë duke kryer hetime, dhe ky pohim më duket i çuditshëm. Ne s’i ekip i mbrojtjes nuk kemi qenë në gjendje të udhëtojmë dhe takohemi me njëri tjetrin shkaku i COVID-it. DASH thotë se njerëzit nuk duhet të udhëtojnë në Kosovë. Nuk e di se çka thotë qeveria franceze apo Britanisë, mirëpo është shumë e rëndësishme që të takohemi dhe të diskutojmë. Klientin tim, zotin Thaçi nuk e kam takuar që nga momenti i ngritjes së aktakuzës”, tha ai.






