Propozimi i Kurtit, reagon ashpër Klinaku i OVL-së: Qëllim e kanë mos t’i rrisin pensionet

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës , Faton Klinaku, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve qeveritarë për propozimin që kryeministri i vendit, Albin Kurti ua dërgoj atyre për Ligjin për Pagën Minimale.

Klinaku në një postim në Facebook tha se zyrtarët e Qeverisë po nguten që ende pa marrë përgjigje nga veteranët, çështjen ta bëjnë mediatike.

Sipas tij, qëllimi i pushtetarëve është që mos ta rrisin pagesën për veteranët në këtë kohë krize.

“Disa nuk kanë ide se si dhe nga kush bëhet vlerësimi e verifikimi, e disa janë të paskrupullt sepse e dinë që nuk bëhet kjo aktualisht dhe është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, tha ai.

Postimi i plotë i Klinakut:

Nuk e pritën përgjigjen tonë ndaj shkresës së kryeminstrit, por qysh ditën e nesërme pushteti e bëri këtë çështje mediale, për të bërë lojëra e mashtrime në publik.

Flasin për veteranët se meritojnë më shumë benificione sesa marrin aktualisht, e qëllimin e kanë që të mos e lëvizin atë pagesë as në këtë kohë krize.

Disa nuk kanë ide se si dhe nga kush bëhet vlerësimi e verifikimi, e disa janë të paskrupullt sepse e dinë që nuk bëhet kjo aktualisht dhe është ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Në kohën kur zyra në qeveri për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, për shkak të një gabimi teknik i drejton njerëzit në prokurori sepse nuk mund të lëshoj as për individin një vërtetim, këta munden tash edhe për kolektivin të bëjnë vlerësim e verifikim.

Hajde bëjeni atë vlerësim e verifikim me letër të thatë, sepse dosjet i keni në prokurori e gjykatë.