propagandë

Propagandisti i televizionit rus pretendon se “mijëra civilë janë torturuar dhe vrarë egërsisht” nga Ukraina

Televizioni shtetëror rus filloi sot një shtytje të re propagandistike, duke pretenduar se nacionalistët ukrainas janë gati të masakrojnë rusët në lindje të vendit në atë që vëzhguesit druajnë se mund të jetë hapi i fundit në justifikimin e një pushtimi.

Sipas mediave të huaja, Dmitry Kiselyov, një propagandist i shquar shtetëror i njohur shpesh si ‘zëdhënësi i Putinit’, përdori emisionin e tij të lajmeve të së dielës për të shpërndarë pretendime të pabazuara se Ukraina ka ‘torturuar dhe vrarë egërsisht’ mijëra civilë në rajonin e Donbasit.

Në një segment të titulluar ‘ata po përgatiten të vrasin’, ai paraqiti gjithashtu një intervistë me një luftëtar separatist në rajon, duke paralajmëruar se nacionalistët ukrainas kanë kërcënuar se ‘do t’ju vrasin dhe therin të gjithë, dhe do t’ju varin fëmijët në tela’.

Taktika pasqyron propagandën ruse të përhapur përpara pushtimit të fundit të Ukrainës, në vitin 2014, që u përdor nga Kremlini për të justifikuar veprimet ushtarake mbi bazën e ‘mbrojtjes’ së rusëve etnikë që jetojnë në vend.

Tani mendohet se janë 148,000 trupa ruse të grumbulluara në kufij – të mbështetur nga mijëra tanke dhe artileri – me Uashingtonin që paralajmëron se një pushtim mund të vijë sa më shpejt të mërkurën.

Ndërkohë përpjekjet diplomatike për të shmangur një luftë po vazhdojnë, me kancelarin gjerman Olaf Scholz që fluturon për në Kiev sot dhe Moskë nesër në një përpjekje “për të qetësuar të parën dhe për të penguar të dytën”.

Ai pritet t’i ofrojë më shumë ndihmë financiare Ukrainës dhe t’i kërkojë Rusisë ‘të depërshkallëzojë menjëherë’ grumbullimin e trupave të saj në kufi.

Bisedimet deri më tani kanë pasur pak sukses pasi Moska kërkon që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO gjë që aleanca refuzon.