Propagandë e ndytë e mediave të Vuçiqit, thonë se Policia e Kosovës i ndërprerën pushimet për t’u mobilizuar

Mediat serbe të afërta me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit kanë filluar të propagandojnë serish për llogari të publikut atje dhe një pjesë të serbëve të Kosovës, duke ngjallur frikë dhe duke trumbetuar me retorikë luftënxitëse

Gazeta “Novosti” e cila njihet për gjuhë të ashpër ndaj Kosovës, sot shkruan se “drejtori operativ i Policisë së Kosovës ka urdhëruar që të gjithë policët e njësive speciale nga nesër t’i ndërpresin  pushimet dhe se këto njësi nga nesër duhet të jenë në kapacitet të plotë dhe operativisht të përgatitur për veprim”.

“Shqiptarët çdo ditë po e përgatisin terrenin për zbatim me dhunë të masave ilegale të cilat kanë paralajmëruar se do të hynë në fuqi më 1 shtator, duke fillon implementimi i vendimit për suspendimit e dokumenteve dhe targave serbe”, shkruan kjo gazetë.

“Novosti” i sjellë këto “informacione” të koordinuara pikërisht në ditën kur në Beograd kanë qëndruar kryetarët e katër në veri të Kosovës bashkë me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

“Herët në mëngjesin e sotëm, siç raportojnë burimet tona, Policia e Kosova ka krijuar një pikë vëzhgimi në përsëritësin e telekomunikacionit mbi vendkalimin administrativ Jarinje. Në të njëjtën kohë, të ashtuquajturat Njësia lëvizëse kufitare e PK-së ka filluar të groposin depozita me naftë në tokë, për të parandaluar dëmtimet dhe shpërthimet. Është e qartë se e gjithë kjo tregon se Prishtina po përgatitet për një sulm në veri të Kosovës dhe se nuk do të hezitojë të përdorë forcën nëse serbët nuk i pranojnë dokumentet e shtetit të rremë. Informacioni se PK-ja po vendos poste vëzhgimi pranë postblloqeve administrative vetëm sa konfirmon informacionin e “Novosti” se forcat speciale të Kurtit janë duke vëzhguar gjerësisht terrenin dhe duke zgjedhur lartësitë më të përshtatshme për sulm”, shkruan gazeta e afërt me Vuçiqin, duke propaganduar kështu frikë dhe dhunë në veri.

Mediat serbe, shumica prej tyre, në vazhdimësi kanë hedhur “benzinë në zjarr”, duke publike lajme të rreme për gjendjen në veri dhe duke i nxitur serbët që të bllokojnë rrugët. Policia e Kosovës në bllokimin e fundit të rrugëve në veri është përballur me të shtëna armësh, por fatmirësisht nuk kishte të lënduar.