Propaganda ruse për mercenarët e vrarë në Ukrainë, Vela: Alarmi për dezinformimin rus – të bllokohen informacione të tilla

Të përballur me humbje të mëdha gjatë agresionit ushtarak në Ukrainë, Moska zyrtare dhe mediat pro-ruse në Serbi po vazhdojnë me propagandën, që ka të bëjë me kinse mercenarët nga vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, në radhët e ushtrisë ukrainase.

Ndaj propagandës mediale të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, e cila ka xjerr njoftimin për shqiptarët e vrarë (sipas saj) nga ushtria ruse në Ukrainë, ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si alarm për dezinformimin rus.

“Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një listë të përbërë të luftëtarëve të vrarë nga vende të ndryshme evropiane në luftën në Ukrainë. Më pas mediat serbe që janë pro regjimit të Vuçiqit e përforcuan këtë narrativë. Rajoni ynë duhet të bllokojë informacione të tilla.”, ka shkruar Vela në një postim në Twitter.